Vrasja e gjyqtares Fildez Hafizi të enjten e kaluar, ka shokuar mbarë opinionin publik. Çështja vazhdon ende të diskutohet, pasi vrasja e saj dëshmoi defektet në sistemin tonë të drejtësisë.
Juristja e njohur Eni Çobani e cila ishte sot e ftuar në studion e “Tonight Ilva Tare” tha se e njihte nga afër gjyqtaren e Shkodrës, Fildes Hafizin.
Çobani tha se gjyqtarja jetonte në vështirësi ekonomike ndryshe nga sa mendohet se jetojnë shumica e gjyqtarëve. Familjarët e Hafizit vareshin vetëm nga paga e saj.
“Ky rast kaq flagrant dhe shumë i rëndë dhe besoj që është rasti i parë në dhunën në familje që vritet një gjyqtare. Ndodhi edhe kjo. Pra nuk di më çfarë pret shoqëria shqiptare më shumë se kaq. Çfarë mund të presim më të rëndë se kaq. Unë jam pak e ngarkuar emocionalisht duke e njohur nga afër, duke ditur vështirësitë e jetesës së asaj zonje.
Pra nuk jemi në kalibrin e atyre gjyqtarëve që shpesh herë portalet mediatike përdorin për standardet e larta të nivelit të jetesës, por ne flasim për një minimumin jetik. Këtë jua them me një garanci të plotë. Pra një familje që jetonte vetëm me rrogën e kësaj zonje.
Të gjithë elementët e tjerë të diskutimit këtu marrin një format tjetër. Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një grua që ishte gjyqtare por edhe një nënë që rriste dy fëmijë. Kemi të bëjmë me një bashkëshort që nuk i përgjigjej detyrimeve ligjore dhe që shkon deri atje sa eliminon edhe nënën, mbrojtësen e vetme të këtyre dy fëmijëve.”, thotë gjyqtarja Çobani.
Pavarësisht këtyre, Çobani tha se vendimi ndaj ish-bashkëshortit të gjyqtares Fildes Hafizi dy vite më pare, për ta liruar është brenda kuadrit ligjor.
“Asnjëri nga ne sado i afërm të ishim nuk do ta dimë realisht çfarë ka ndodhur. Ai vajti në mes të pushuesve në Golem, e ka parë kur ka dalë nga hoteli dhe e ka goditur. Ka pasur një pistoletë e cila nuk ka dalë nga çanta. Prokurori i çështjes kur analizon një vepër penale shikon anën subjektive dhe objektive.
Kjo është një fatkeqësi e jashtëzakonshme, nuk diskutohet por po të marrim vendimin, unë do të thosha se kemi një vendim brenda kuadrit ligjor që kemi në fuqi sot. Ai njeriu do dilte pas një viti do ta kryente pas një viti krimi. Ka gra që reagojnë dhe fitojnë, dhe ka gra të tjera që e humbin këtë betejë si gjyqtarja e nderuar, e cila edhe pse e njihte ligjin.
Kush e njihte ligjin më mirë se Firdesi që ka qenë një studente e shkëlqyer e magjistraturës. Ajo ka pasur edhe anën emocionale, e cila deri ditën e fundit u thoshte fëmijëve që të shkojnë tek babai për Bajram.”, është shprehur Eni Çobani. (D.D/Shuplaka)