Reagon Komuniteti Mysliman Shqiptar pas deklaratave të forta për Skënderbeun të Armand Aliu, që thotë se është imam i vetëshpallur.
”Shuplaka” komunikoi këtë mëngjes me Agron Hoxhën, drejtorin e Medieve në KMSH, i cili sqaroi se Armand Aliu nuk është pjesë e institucionit të tyre.
”Nuk është imam zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Nuk shërben në asnjë xhami”, thekson Hoxha.
Aliu nuk predikon në asnjë xhami të komunitetit, ndërsa sipas informacioneve të mëhershme ka patur edhe proces gjyqësor lidhur me predikimet e paligjshme dhe rekrutimin e personave.
Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ka kontroll mbi xhaminë e Unazës së Re në Tiranë.
Deklaratat e imamit të vetëshpallur ishin mjaft të ashpra, pasi arrin deri atje saqë shprehet se i vjen turp që ka për hero kombëtar Skënderbeun, të cilin e quan mercenar që rend pas floririt.
Sipas informacioneve në terren që duket se janë kontradiktore, thuhet se Aliu predikon në xhaminë e Unazës së re dhe njihet edhe si mëkëmbësi i Genci Ballës në këtë xhami, pasi u zgjodh nga besimtarët pikërisht pas arrestimit të këtij të fundit. Kurse burime të tjera thonë se Aliu ka predikuar, por shumë kohë më parë. Genci Balla u arrestua në mars të 2014-ës nën akuzën se rekrutonte luftëtarë për ISIS-in.
”Shkurt muhabeti ai ka bere lufte sektare dhe kjo nuk perputhet me pretendimin e viteve te fundit se Shqiperia shquhet per tolerancen fetare. Ose do mburren shqiptaret me legjenden e Skender Beut ose me mitin e tolerances dhe harmonise fetare. Te dyja bashke nuk pertypen dot se te ngecin ne fyt. Mua personalisht me vjen rëndë qe te kem per hero nje mercenar qe luftonte per flori ne hesap te kryqezatave te krishtera. Jam musliman dhe kjo bie ndesh me besimin tim.
Edhe pse busti i Skender Beut sot shikon pothuajse ne drejtim te Fushe Krujes edhe pse ai ska pas lidhje me Fushe Krujen por me Krujen. Megjithate drejtimi i bustit eshte ne mes te drejtimit te Krujes dhe Venedikut. Madje busti ka kthyer menderen ne drejtimin e kibles se muslimaneve dhe kjo eshte nje fyerje e rende per muslimanet.”, deklaronte ditë më parë Aliu për heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. (V.G/Shuplaka)