Për zhvillimet e ditëve të fundit në Akademinë e Shkencave ka reaguar dhe deputeti i LSI-së Luan Rama. Ai thotë se Akademia e Shkencave është viktimë e obskurantizmit politik.
Duke marrë në shqyrtim që vitet e para të krijimit të Akademisë Luan Rama thotë se themeluesit e këtij e institucionit i dhanë gjithë botës shqiptare e me gjerë, qendrën shkencore më të specializuar të studimeve albanologjike, e cila u bë kësisoj referenca shkencore e të gjitha studimeve albanologjike në mbarë botën.
SHKRIMI I PLOTË:
Akademia e Shkencave viktimë e obskurantizmit politik. Luan Rama në nëntor të vitit 1972, një ditë pasi kishte mbyllur punimet në Tiranë Kongresi i Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë prej një grupi shkencëtarësh elitarë, prej atyre emrave të nderuar e gjithaq të ndritur të shkencës e kulturës tonë kombëtare.
Aleks Buda, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Kolë Popa, Petrit Radovicka, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj, Hekuran Mara, Luan Omari e te tjerë, janë ata që i dhanë vendit jo thjeshtë një institucion që nuk e kishte si Akademinë e Shkencave, por i dhanë gjithë botës shqiptare e me gjerë, qendrën shkencore më të specializuar të studimeve albanologjike, e cila u bë kësisoj referenca shkencore e të gjitha studimeve albanologjike në mbarë botën.
Ndërkaq, sot kur do të duhej të diskutonim e vlerësonim se çfarë ka qenë e çfarë ka mbetur Akademia jonë e shkencave në vigjiljen e 45 vjetorit të krijimit, e për më shumë, kur duhej që më së pari të projektohej se çfarë e si do të jetë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, sëpaku në 45 vitet që do të vijnë, Kryeministri shpalli përmes një statusi apo thënë më shqip, përmes një publikimi në facebook, se ka vendosur t’i ndërpresë financimin Akademisë, pa denjuar të mësojë më parë se cila është e vërteta e gjendjes së krijuar në këtë Akademi, edhe pse Akademia i është drejtuar Kryeministrit me një shkresë zyrtare gati një muaj e gjysmë më parë, pikërisht për të evituar situatën e krijuar edhe, më e pakta që mund të them, prej mungesës së vullnetit të vetë Kryeministrit!
Me shqetësimin e zgjidhjes së problemeve që krijoi vetë ligji “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në universitete” për Akademinë e Shkencave dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike, në seancën e diskutimit për miratimin e atij ligji në Kuvendin e Shqipërisë në korrik të vitit 2015, pra mbi dy vjet më parë kam thënë se, citoj: “Praktikisht, me miratimin e këtij projekt-ligji dhe me abrogimin e ligjit të vjetër nuk ka më mbulesë ligjore për kërkimin shkencor në institucione që funksionojnë për të, si Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike. Kjo e fundit, deri sot, e zhvillonte veprimtarinë e saj brenda ligjit ekzistues të arsimit të lartë.
Por, me miratimin e ligjit të ri, në të cilin nuk ka asnjë referencë për të, ky institucion formalisht do të rezultojë i paligjshëm, deri sa të ketë një zgjidhje tjetër juridike, për të cilën është thënë gjatë debatit se do të vijë, por që praktikisht nuk ka ende asnjë hap konkret për të. Kjo e rrezikon shumë statusin e Studimeve Albanologjike, ashtu siç rrezikon dhe statusin e Akademisë së Shkencave, e cila, megjithatë, një statut të brendshëm gjithsesi e ka.
Është arbitrare kjo sjellje nga hartuesit e ligjit. Është thënë se po përgatitet një ligj për shkencën, dhe do të ishte mirë të kishim një ligj të tillë, por ai ligj duhej të ishte tashmë në procedurë për miratim, pjesë përbërëse e së njëjtës paketë, paralelisht me ligjin për arsimin e lartë. Nuk mund t’ia lëmë rastësisë fatin e institucioneve që kanë të bëjnë me shkencat e identitetit, siç janë shkencat albanologjike. Le të kujtojmë këtu se konkurrenca në mendimin shkencor albanologjik është shtuar jashtëzakonisht, jo vetëm në qendrat tradicionale të albanologjisë, si Gjermania, Austria, Italia, Franca; por dhe në shtete të tjera si Rusia, Polonia, Kroacia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Turqia, deri dhe Kina e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i katedrave të albanologjisë po shtohet dhe i albanologëve gjithashtu. Dy vjet më parë katedra e albanologjisë në Universitetin e Beogradit festoi 50-vjetorin e saj me një konferencë shkencore ndërkombëtare albanologjike me pjesëmarrje nga të gjitha këto qendra, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo katedër ka gati trefishin e numrit të punonjësve shkencorë më shumë krahasuar me qendrën e studimeve albanologjike në Tiranë. Në kushtet kur për fatin e mirë të albanologjisë rrethi i studiuesve të saj në botë po zgjerohet; në kushtet kur botimet dhe konferencat shkencore për çështje themelore të saj janë shtuar dukshëm; po dhe në kushtet kur paradigma tradicionale e albanologjisë është tronditur, lënia e institucioneve të kërkimit elitar të saj në Shqipëri, qoftë dhe, siç thashë, për një farë kohe, pa mbulesë dhe mbrojtje ligjore është një pabesi e madhe ndaj shkencës kombëtare”.
Kështu jam shprehur në korrik të vitit 2015 në Kuvendin e Shqipërisë, pa menduar se asgjë nuk do të ndryshonte për mirë, por pa dyshuar në fakt se gjithçka do të shkonte keq e më keq! Për fat të keq, kaluan plot dy vjet dhe qeveria nuk bëri asgjë që të zgjidhte problemet që vetë i krijoi në Akademinë e Shkencave dhe në Qendrën e Studimeve Albanologjike, e për më keq akoma, shpalli sot përmes Kryeministrin në papërgjegjshmëri të plotë de facto mbylljen e Akademisë! Në vitin 1992, dy dekada pas themelimit, Akademia e Shkencave kishte 13 institute