Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, së shpejti do të nisë një aksion, për të luftuar për respektimin dhe vendosjen e integritetit të gruas në familje. Ky është edhe plani për riorganizimin e LSI-së, që është diskutuar në mbledhjen e sotme të Lëvizjes së Gruas për Integrim, e cila sapo ka përfunduar.
Kryemadhi thotë se javën e ardhshme do të mbledhë KDK-në për të konkretizuar këtë aksion politik.
“Riorganizimi ynë do të nisë me gratë dhe vajzat, që do të jenë bërthama, jo vetëm e LGI-së, por edhe pikënisje për analizimin dhe trajtimin e çdo problematike në grupin parlamentar dhe më tej.
Çdo emancipim, aksion apo reformë duhet ta nisim nga vetja dhe për këtë nismat tona do të jenë vendimtare për rivendosjen e integritetit të gruas në familje dhe në shoqëri. Kjo nuk bëhet as në një ditë dhe as në një muaj.
Por çdo angazhim i yni do të jetë një gur i qëndrueshem në themelin e respektit të figurës së gruas shqiptare. Javën e ardhshme ne do të mbledhim KDK-në për të konkretizuar aksionin tonë politik në këtë drejtim.”, shkruan Kryemadhi.
LSI në fakt, edhe në drejtimin e Ilir Metës apo të Petrit Vasilit ka qenë e angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me gruan shqiptare, mirëpo tani që drejtimin e ka marrë një femër, Monika Kryemadhi, me shumë mundësi do të shohim më shumë punë në këtë drejtim. (D.D/Shuplaka)