Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Armando Sadiku, ka treguar momentet e rastit të humbur në pjesën e dytë ndaj Maqedonisë, kur mund të ndryshonte fatin e ndeshjes dhe ndoshta të siguronte fitoren e kuqezinjve.
“Kisha një mundësi, por e sulmova pak shumë shpejt shtyllën e parë dhe dola jashtë rrezes së portës dhe kur godita topin, shkoi jashtë. Mund ta kisha mbyllur ndeshjen, merrnim tre pikët. Në atë moment nuk më besohej, se m’u duk shumë e thjeshtë për të shënuar, kur mendon që shënon, nuk e bën”, tha ai për TVSH.
Ai e cilësoi ndeshjen me dy fytyra, ndërsa nuk ngurroi të pranonte se ekipi nuk kishte bërë një lojë të mirë. “Ishte ndeshje delikate, se isha mes tre mbrojtësve të Maqedonisë, por nuk duhet të jetë ky justifikim.
Duhet të kishim bërë më shumë si skuadër, në pjesën e parë thuajse nuk bëmë asnjë rast, në të dytën më shumë, duhej të kishim shfrytëzuar ato që krijuam, duke filluar nga unë. Ka pak keqardhje, shpresoja të shënoja. Çfarë të bëj, ndonjëherë parashikimet nuk dalin”, tha Sadiku. (B.H/Shuplaka)