Pas Monika Kryemadhit dhe Dritan yllit, një tjetër eksponent i LSI-së kujton ditët e para të kësaj force politike.
Në ditën e 13 vjetorit të themelimit të LSI-së, nënkryetari Luan Rama kujton se cilët ishin personat që firmosën themelimin e saj.
“Më 6 shtator 2004, Qamil Buxheli, Ilir Meta, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Limos Dizdari, Petrit Vasili, Mustafa Muci, Sokol Nako, Spartak Braho, Sokol Axhemi, Artan Kuxhuku, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Etleva Bisha, Edmond Panariti, Aferdita Tutulani, Dritan Prifti, Pëllumb Xhufi, Monika Kryemadhi e shumë të tjerë; gjithesej 795 firmëtarë, përkatësisht edhe nismëtarë, vendosën të krijojnë një parti të re; të re e të ndryshme prej çfarë ofronte realiteti politik shqiptar pastkomunist, të cilën e pagëzuan Lëvizja Socialiste për Integrim.”, kujton Luan Rama.
Më tej nënkryetari shprehet se LSI lindi për të krijuar një pol të ri shprese për të rinjtë dhe për të vjetrit me mendim të ri,
KOMENTI I LUAN RAMËS
LSI – forca e ndryshimit dhe e shpresës.
Më 6 shtator 2004, Qamil Buxheli, Ilir Meta, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Limos Dizdari, Petrit Vasili, Mustafa Muci, Sokol Nako, Spartak Braho, Sokol Axhemi, Artan Kuxhuku, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Etleva Bisha, Edmond Panariti, Aferdita Tutulani, Dritan Prifti, Pëllumb Xhufi, Monika Kryemadhi e shumë të tjerë; gjithesej 795 firmëtarë, përkatësisht edhe nismëtarë, vendosën të krijojnë një parti të re; të re e të ndryshme prej çfarë ofronte realiteti politik shqiptar pastkomunist, të cilën e pagëzuan Lëvizja Socialiste për Integrim.
Pavarësisht se çfarë ka ndodhur prej themelimit e tëhu me shumë prej nismëtarëve të themelimit, pavarësisht se shumë syresh janë gjetiu apo nuk kanë më të njëjtin raport si më parë me partinë ku qenë dhe mbeten themelues, në ditën e themelimit të LSI-së të gjithë meritojnë mirënjohjen e anëtarëve, simpatizantëve, mbështetësve e votuesve të shumtë për aktin kurajoz e qytetar që ndërmorën dhe kontributin e veçantë, pasi i dhanë realitetit politik shqiptar zërin e munguar dhe faktorin imponues të ndryshimit progresiv.
Lëvizja Socialiste për Integrim u krijua si një reflektim i thellë politik ndaj zhvillimit të brendshëm të së majtës tradicionale dhe asaj post-totalitare. Ajo i hodhi hapat e vështirë të faktorizimit të vet, në një vend ku dukej se pluralizmi politik nuk mund të kuptohej ndryshe përveçse si bipartitizëm. Duke synuar prishjen e kësaj tradite dominuese dhe demokratizimin e politikës, LSI ka meritën që duke i dhënë parlamentit shqiptar karakter policentrist, e demokratizoi atë vetë, duke i lënë të hapura mundësitë e krijimit të aleancave dhe koalicioneve, duke i prishur ekuacionet e sigurta të së shkuarës dhe duke e kthyer pasigurinë e shumicave në stabilitet dhe siguri për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Tejkalimi i bipartitizmit është një meritë e pandashme e LSI-së. Asnjë parti nuk kishte arritur ta bënte këtë më parë e më pas. LSI i dha fund fenomenit të partive dhe partizave dekorative me fat të kushtëzuar prej aleatit të madh, çka mund të shihet në lindjen dhe shuarjen e pazhurmshme të partive, në ndarjet dhe ribashkimet e tyre.
LSI nuk lindi për të mbledhur rreth vetes të zhgënjyerit e një krahu a të një tjetri, sepse të zhgënjyerit aq shpejt sa afrohen aq dhe largohen. LSI lindi për të krijuar një pol të ri shprese për të rinjtë dhe për të vjetrit me mendim të ri, për të gjithë ata që organizohen në një parti për atë që përbën nyjat lidhëse në një parti. LSI nuk ka qenë asnjë herë dhe nuk është as sot streha e të ikurve, por strumbullari i qytetarëve vullnetmirë, që mendojnë në mënyrë eurosocialiste dhe kështu bashkohen për t’i shërbyer kauzës më të madhe të kohës së sotme të popullit shqiptar: euro-integrimit, euro-kodifikimit të ligjeve, të shtetit të së drejtës, të parlamentarizmit dhe të sjelljeve politike në përgjithësi. LSI lindi si sfidë, u rrit e u faktorizua duke sfiduar dhe do të vazhdojë të rritet duke fituar sfidat si forcë e ndryshimit, e shpresës dhe solidaritetit. (D.D/shuplaka)