“Morina mund të vetëflijohet në qeli, në rast se drejtësia kroate do të vendosë përfundimisht pro ekstradimit të tij në Serbi”, kanë qenë këto fjalët e bashkëshortes së “Ballistit”, Ismail Morina.
Në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, Federica tregon çdo përipeci të kaluara të Morinës, vuajtjet e saj dhe fëmijëve, dhe betejën ligjore dhe politike për mos-ekstradimin e të shoqit në Beograd.
Jonida Shehu: Si ndihesh dhe si është gjendja jote shëndetësore, duke marrë parasysh të gjitha peripecitë që ka kaluar familja?
Federica Lo Torto: Jam shumë në vështirësi. Jam shumë e mërzitur sepse nuk ka asnjë lloj sigurie. Unë po bëj çdo gjë që kjo çështje të zgjidhet në mënyrën më pozitive. Por nuk kam asnjë lloj sigurie.
Jonida Shehu: Kur thua “po bëj çdo gjë…”, çfarë hapash keni ndërmarrë ju deri tani?
Federica Lo Torto: Deri tani kam gjetur edhe një avokat që flet italisht, në mënyrë që të komunikoj në mënyrë të drejtpërdrejtë me të, pra për të mos pasur nevojë për përkthyes ose për të përdorur një gjuhë që nuk është e imja. Sepse nuk do të ishte e rastit dhe nuk do të shprehesha ashtu siç duhet. Kemi punuar me këtë strategji, falë së cilës përveç apeleve të vazhdueshme për vendimet e gjykatës kroate që ka konfirmuar gjithmonë ekstradimin, kemi bërë edhe kërkesën për azil politik pikërisht mbi bazën e kërcënimeve që ai merr prej 2014-ës. Edhe sot, edhe këto ditë, në profilin e tij të Facebook ka marrë kërcënime nga persona që thonë se po e presin në Serbi për t’i garantuar një “trajtim favorizues” të cilin ai do ta mbajë mend përgjithmonë. Kjo situatë nuk na jep kënaqësi sepse kanë kaluar disa muaj. Unë e di që procedura është e gjatë dhe ja kam thënë edhe Ismailit, por duket se Ismaili tani po dorëzohet. Duket se nuk po e mban veten. Nuk e mban veten nga ana emotive, emocionale. Nuk arrin ta durojë presionin. Nuk arrin më të durojë sepse kushtet në të cilat po jeton nuk janë kushte të favorshme.
Jonida Shehu: Kur thua nuk janë kushte të favorshme… M’i shpjego cilat janë kushtet ku jeton ai?
Federica Lo Torto: Është i mbyllur në një dhomë 10 m2, së bashku me 10 persona të tjerë. Ka një dritare të vogël, por është jashtëzakonisht e vogël. Është i mbyllur aty gjithë ditën, maksimumi mund të dalë gjysmë ore ose një orë me njerëz që nuk flasin as italisht dhe as shqip. Dikush flet anglisht, por jo shumë, prandaj ai është atje i vetëm. Vazhdon të mendojë vetëm gjërat e veta, vetëm çështjen e tij dhe sigurisht kjo nuk e ndihmon. Ka vetëm 15 minuta në javë për të marrë në telefon, dhe çdo telefonatë i regjistrohet dhe ndiqet në mënyrë të drejtpërdrejtë prandaj ndërhyn ndonjëherë edhe ai që na dëgjon. Kjo sigurisht që nuk e ndihmon Ismalin që të hapet me mua Është e vështirë ta takoj. Vetëm një herë në javë mund ta takoj për 20 minuta, gjithmonë në prani të dikujt tjetër. Kam arritur të kem edhe disa takime familjare në mënyrë që ta shohin edhe fëmijët, pra edhe kjo është një situatë e vështirë sepse me fëmijët që shohin një zotëri që është i ulur por s’e kuptojnë se pse duhet të qëndrojë atje, por të paktën kështu mund ta prekim. Kur takimet janë pa fëmijët, jemi të ndarë nga një xham ndarës kështu që nuk mundesh as ta prekësh. Kjo ka pasoja të rënda.
Jonida Shehu: Federica, e prisnit vendimin e Gjykatës së Lartë kroate për ekstradimin në Serbi? Deri në atë ditë të gjithë kishin shpresa, madje kishte edhe disa lajme, nuk e di sa të vërteta ishin, që do të kishte ndërhyrje të politikës që do ta shpëtonin ekstradimin e Ballistit në Serbi. A i kishit dhe ju të njëjtat shpresa?
Federica Lo Torto: Personalisht nuk kisha shumë presa. Të them të drejtën e kam ditur gjithmonë që shpëtimi i vërtetë do të ishte azili. Por sigurisht, sinjale inkurajuese kemi marrë. Prandaj Ismaili kishte shpresa në këtë drejtim. Shpresonte që të gjente një zgjidhje politike edhe në këtë fazë por për fat të keq nuk ndodhi. Dhe sigurisht kjo ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij.
Jonida Shehu: Në profesion ju jeni avokate dhe e njihni jurisprudencën. Në informacionin që ne kemi thuhet se Ballisti akuzohet për nxitje urrejtjeje mes dy shteteve, vepër penale që parashikon 1 deri në 8 vite burgim. Është i njëjti informacion që keni dhe ju?
Federica Lo Torto: Po, po. Është e vërtetë. Ai është akuzuar edhe për nxitje të urrejtjes kundër kombit serb, pra bëhet fjalë për një vepër të ndërlikuar. Pra ai akuzohet se ka fyer edhe nderin e Serbisë. Në gjykimin tim, kjo është e diskutueshme si akuzë. Do të isha kurioze të kuptoja se cilat janë provat se ku bazohet kjo akuzë, duke pasur parasysh fakte.
Jonida Shehu: Cila është frika juaj më e madhe? Nëse realisht gjithçka përfundon kështu, si vendimet e deritanishme, që Ballist Morina të ekstradohet drejt Serbisë.
Federica Lo Torto: Frika ime më e madhe, më duhet ta pranoj, është që ai të vetëflijohet në Kroaci. Ai nuk ka ndërmend të shkojë në Serbi, të niset për në Serbi. Kjo është thelbësore dhe këtë unë dua ta shmang me çdo kusht.
Jonida Shehu: Ua ka shprehur ai këtë, apo mendoni kështu, duke e njohur Ballistin dhe duke njohur rrethanat?
Federica Lo Torto: E ka thënë. E ka thënë që prej fillimit. Dhe kohët e fundit, kur e kam vënë re që ai po dorëzohet dhe po e lëshon veten, kur ai thotë “unë e refuzoj azilin dhe nuk dua të shkoj në Serbi”.
Jonida Shehu: Federica, ju nuk keni pasur shpresa që një ndërhyrje politike mund ta pengonte këtë rrjedhë vendimesh në drejtësinë kroate. Po Ballisti ka pasur shpresa që do ta ndihmonin miqtë e tij shqiptarë, ata që në njëfarë mënyre i bëri të ndiheshin krenarë me gjestin e bërë? Ka pasur ai shpresë që politika shqiptare do të ndërhynte?
Federica Lo Torto: Dua të them se përtej muajit të parë, pra kur unë jam gjendur absolutisht vetëm, më pas autoritetet shqiptare ndërhynë. Unë këtë e pranoj. Mund ta them sot që janë duke punuar për Ismailin. Frytet akoma nuk i kemi parë por unë personalisht e kuptoj arsyen. Kuptohet që janë punë të ndërlikuara, ka interesa politike në lojë. Është e vështirë që të priten rezultate të menjëhershme por por meqenëse Ismaili është njeri dhe për fat të keq nuk është makineri, dhe nuk mund të pësojë një sërë gjendjesh të vazhdueshme të vështira si gjendja që ndodhet tani, unë shpresoj në këtë çast dhe lutem që këto ndërhyrje, këto veprime, të mund të realizohen sa më shpejt. Të paktën shpresoj që të arrihet lirimi me kusht, sepse kjo është një mundësi që mund të arrihej që në fillim. Ja kemi kërkuar shtetit kroat që prej fillimit sepse janë të shumtë ata që kanë procese ekstradimi por pa qëndruar në burg. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për një krim politik si ky dhe nuk bëhet fjalë për një alarm social. Por ata nuk na e kanë dhënë asnjëherë lirimin me kusht por unë shpresoj që me ndërhyrjen e qeverisë shqiptare të kemi të paktën lirimin me kusht në mënyrë që të jetë në një ambient familjar. Edhe pse do të vazhdojë të qëndrojë në Dubrovnik, por jo në mes të njerëzve të panjohur dhe i braktisur, me veten e tij.
Jonida Shehu: Kur do të mbarojë e gjithë kjo? Ju thatë pak më përpara që i keni thënë edhe Ismailit që kjo është një procedurë që do të zgjasë shumë. Kur pritet të merret vendimi përfundimtar nga drejtësia kroate dhe të mësohet nëse Ballisti do të ekstradohet në Serbi apo jo?
Federica Lo Torto: Unë pres për javën e ardhshme lajm për lirimin me kusht, që do të përbënte një pjesë të zgjidhjes. Dhe brenda muajit shtator pres të kuptoj se çfarë ka ndërmend të bëjë ministri i Drejtësisë kroate, sepse tashmë jemi në duart e politikës. Organet gjyqësore janë shprehur dhe tani është ministri që duhet të vendosë se çfarë do të bëjë. Nëqoftëse do ta firmosë këtë ekstradim, pra ta bëjë të zbatueshëm apo jo. Unë vazhdoj të përgatis dokumentet për procedurën e azilit. Duhet t’i përfundoj edhe këto brenda javës së ardhshme në mënyrë që t’i japim një nxitje të mëtejshme kësaj procedure dhe që përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Jonida Shehu: Ndërkohë,ti vetë, je e fortë Federica? Duke marrë parasysh rrethanat, që je në muajin e shtatë dhe pak muaj të ndajnë nga ardhja në jetë e bebit?
Federica Lo Torto: Unë jam shumë e lodhur, jam në vështirësi. Nuk kam ndihmë familjare sepse nuk kam vëllezër ose motra që mund të më ndihmojnë në këtë situatë. Edhe fëmijët kanë pasur pasoja nga kjo histori. Vajza e madhe ka episode të vazhdueshme të somnambulizmit dhe ka sjellje të dhunshme sepse nuk arrin të shkarkojë këtë tension. E ka parë të atin që e mbajnë ca njerëz të këqinj. Ajo ka frikë se mund ta marrin edhe atë. Në fillim nuk donte të hynte as në burg sepse kishte frikë se do të na mbanin atje, mua dhe atë. Ndërsa djali i vogël është vetëm 3 vjeç por ndjen mungesën e të atit. Ka filluar ta imitojë edhe në gjestet e përditshme dhe aktualisht është duke u rritur pa babanë. Nëdrsa tjetri, në bark, po vuan gjithashtu shumë. I ndjen shumë luhatjet e humorit tim dhe momentet e mia të mërzisë dhe ai i pëson të gjitha.
Jonida Shehu: E kishe menduar që kur ndodhi ndeshja që më pas gjërat do të rridhnin kështu? E kishe ndonjë parandjenjë që gjërat do të shkonin keq dhe ajo gjë nuk duhej bërë? Nuk e di çfarë mund të kesh diskutuar me Ismailin ato ditë.
Federica Lo Torto: Po, por nuk e prisja me thënë të drejtën. Ai ishte i fiksuar, nëse mund ta përdor këtë shprehje, ai ishte i fiksuar me këtë çështje. E ndiente si një detyrim, një nderim që po i bënte atdheut të tij. Unë nuk doja ta kundërshtoja. Natyrisht, ja thashë që si baba dhe si familjar kishte përgjegjësi dhe kishte edhe rrezik. Por kur e pashë sa i bindur që ishte, unë e lashë që të vepronte sepse nuk doja të isha ajo që e pengonte dhe që e mbante të burgosur të shoqin. Por natyrisht nuk prisja që të bëhej gjithë kjo zhurmë. Edhe këto spekulime që ka pasur, në fund të fundit bëhet fjalë për një gjest simbolik që do të nderojë Shqipërinë dhe nuk do të tallet me një shtet tjetër. Absolutisht nuk do të tallet me një shtet tjetër dhe nuk do të fyejë atë shtet. Prandaj jam e habitur dhe më mërzit shumë, sepse dikush do të thotë që e lexon në mënyrë jo të saktë atë veprim.
(S.SH/Shuplaka)