Kreu i partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima, një ditë para nisjes së seancës së parë plenare të Kuvendit të Ri, u kërkon ndihmë ndërkombëtarve që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe të vendosen në anën e popullit dhe jo në anën e politikanëve të korruptuar.
Kokëdhima bën thirrja që puna e qeverisë së re të nisë me Reformën Zgjedhore, pasi sipas tij pa të nuk mund të jenë të plota reformat e tjera. Për këtë Kokëdhima kërkon edhe prezencën e OSBE-së.
“ZGJIDHJA kërkon që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së si garancia më e madhe që në Shqipëri të kemi një sistem zgjedhor të njëjtë me modelet më të mira perëndimore. Reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa të, asnjë reformë tjetër nuk do japë rezultatet që ne presim dhe Shqipëria nuk kthehet dot në rrugën e ligjit dhe të demokracisë, nuk shpëton dot nga qeveritë e korruptuara, nga varfëria, papunësia dhe braktisja masive dhe shteti ynë do të shkojë me shpejtësi drejt kolapsit dhe falimentit të plotë.”, shkruan Kokëdhima.
KOMENTI I KOKËDHIMËS
Puna të nisë nga reforma zgjedhore, mëma e të gjitha reformave
Të shtunën, në ora 10, është parashikuar që të mbahet mbledhja e parë e legjislaturës së IX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë legjislaturës së kaluar, Kuvendi miratoi me mijëra ligje. Shumica mbetën në letër, si gjithmonë, dhe nuk i shërbyen as vendit, as demokracisë, as shqiptarëve. Por reforma më e rëndësishme as nuk u zu në gojë, as nuk u përfill dhe as u denjua të merrej në shqyrtim.
Reforma Zgjedhore ishte kurbani i madh i Rilindjes dhe PD-së. Ajo u bllokua me dëshirë dhe vetëdije të plotë nga arkitektët e marrëveshjes famëkeqe të 21 prillit 2008. Nga ajo sallë, 9 vite më parë, Rama dhe Berisha, bashkuan votat për të shqyer kushtetutën, varrosur votën e shqiptarëve, për të rrrënuar PS-në dhe për t’i dhënë edhe një mandat tjetër babait të tragjedisë së Gërdecit. Komisioni bipartizan PD-PS, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe në Kushtetutë, që mundësuan sistemin e ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura, e bënë sulltan Ramën në PS dhe e vunë këtë të fundit nën këmbët e kryetarit, siç ishte katandisur PD-ja e Saliut, duke e bërë kryetarin e partisë Zot. Ai vendos se kush do të jetë kandidat për deputet, kryetar bashkie, apo këshilltar. Sot kemi arritur në pikën e fundit, kur Edi Rama vendos se kush duhet të punojë, kush të fitojë, kush duhet të ikë e kush duhet të rrijë, “kush të jetojë dhe kush të vdesë” në Shqipëri.
Për 44 muaj sa ishte kryeministër, asnjëherë të vetme Rilindja e Edi Ramës nuk deshi të merret me reformën zgjedhore. Ai, edhe kur e ka përmendur, e ka bërë nga halli për t’u dukur përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, se sa i dhemb shpirti për vdekjen e demokracisë elektorale në Shqipëri, për të cilën është bashkëfajtor me Saliun.
Ky armik i egër i votës së lirë dhe të ndershme, po aq sa edhe Saliu, deklaronte më 26 janar 2016, në konferencën “Korrupsioni zgjedhor, nevoja për një re formë elektorale të thellë dhe gjithëpërfshirëse”, të iniciuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë se: “…për këtë reformë besoj se konsensusi është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm, pasi nuk mund t’i privohet asnjë pale mundësia për të hyrë në fushën e betejës zgjedhore me rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë, duke përdorur vullnetin e shumicës”.
Çfarë hipokrizie!!! Njeriu që nuk ka lënë as mizën të fluturojë në Rilindjen e tij private, që ka varrosur PS-në, që vendos për gjithçka dhe për këdo, që futet në garë, pasi ka fiksuar rezultatin, që ka zhveshur shqiptarët, nga e drejta e votës, për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, flet për betejë zgjedhore me rregulla të qarta dhe vullnet shumice!!!
Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 treguan se partitë as denjuan t’u vënë maska hajdutëve të votës popullore të veshur komisionerë. Rinumërimi i vetëm 64 kutive në Tiranë tregoi se ishte manipuluar 90 për qind e tyre dhe kur kjo ndodhi në mes të Tiranës, imagjinohet lehtë se si i shqyen dhe i trafikuan votat e shqiptarëve komisionerët e partive të kryetarëve.
ZGJIDHJA paralajmëroi që në filim se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave, se ajo është e pashmangshme dhe duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të garantojë standardet e vendeve të civilizuara të Europës për zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme. Shqipëria duhet të shkëputet nga historia e errët e zgjedhjeve antidemokratike. Ajo është vendi i vetëm që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe misionet që asistojnë Shqipërinë e dinë më mirë se kushdo tjetër, se në vendet demokratike zgjedhjet nuk i administrojnë partitë politike. Kjo nuk duhet të tolerohet më në Shqipëri. Të mbyllësh sytë përpara praktikave të tilla elektorale, është njëlloj si të tradhëtosh aspiratat e qytetarëve shqiptarë për liri, mirëqenie dhe drejtësi.
ZGJIDHJA u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që me kurajo të vendosen përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, të vendosen në anën e demokracisë së vërtetë dhe jo në atë të një stabiliteti fals të Shqipërisë së varfër, të korruptuar e të pashpresë. Të huajt janë dëshmitarë, si edhe ne, se një Shqipëri e tillë nuk e ndihmon për shumë kohë as paqen dhe as stabilitetin e Ballkanit, ndërsa brenda vendit zgjedhjet e manipuluara do të prodhojnë deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim.
Unë kam besim se miqtë e Shqipërisë do të reagojnë përballë këtij realiteti tragjik dhe do të bëjnë presion mbi politikanët e korruptuar, servilë, të kapur, e frikacakë të Tiranës që të nisin reformën zgjedhore, të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik në qendrat e votimit, të krijohet një administratë shtetërore zgjedhore e departizuar dhe të miratohet një paketë masash ligjore efektive për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve. Shqipëria s’duhet të jetë edhe më tej vendi i partive të kryetarëve, që hartojnë lista e deputetëve, pa transparencë, pa konkurencë, pa zgjedhje paraprake dhe pa pjesëmarrjen e militantëve të bazës dhe të qytetarëve të vendit, ndërsa modeli shqiptar i zgjedhjeve të mos jetë më i vetmi në bashkësinë e vendeve demokratike ku partitë e vjetra dhe të kriminalizuara numërojnë votat e të gjitha partive të tjera.
ZGJIDHJA kërkon që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së si garancia më e madhe që në Shqipëri të kemi një sistem zgjedhor të njëjtë me modelet më të mira perëndimore. Reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa të, asnjë reformë tjetër nuk do japë rezultatet që ne presim dhe Shqipëria nuk kthehet dot në rrugën e ligjit dhe të demokracisë, nuk shpëton dot nga qeveritë e korruptuara, nga varfëria, papunësia dhe braktisja masive dhe shteti ynë do të shkojë me shpejtësi drejt kolapsit dhe falimentit të plotë. (D.D/Shuplaka)