Partizani, ashtu si vitin e kaluar shihet si një nga pretendentët kryesor për fitimin e kampionatit shqiptar. Mirëpo në ndeshjen e parë të këtij sezoni përballë Laçit e cila sapo përfundoi, të kuqtë kanë zhgënjyer duke u mundur me rezultatin 2-0.
Ekipi i kryeqytetit ka zhgënjyer edhe rreth 5 mijë tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit që kishin ardhur për ta ndjekur në ndeshjen e parë të sezonit, duke shpresuar në fitore pas përforcimeve që ka bërë në merkato.
Pjesa e parë shfaqi një lojë të një niveli të ulët dhe pa raste të rrezikshme. Ndërkohë në pjesën e dytë Laçi kaloi në avantazh në minutën e 59-të me anë të Kallakut, i cili kishte vetëm një minutë që ishte futur në fushë. Goli i dytë u shënua nga braziliani Eskerda në minutën e 70 pas një aksioni mjaft të bukur të Bushit i cili bëri çfarë donte me mbrojtjen e Partizanit.
Ndër skuadrat kryesore pretendente Partizani është e vetmja që nuk ka fituar. Kujtojmë që rivalët direkt Kukësi dhe Skënderbeu e nisën me fitore në ndeshjet e para. (B.H/Shuplaka)