Ditën e sotme të gjitha shkollat hapin dyert për të pritur 495236 nxënës në të gjithë vendin. 32858 nxënës ulen për herë të parë në bangat e shkollës për vitin akademik 2017-2018. Policia ka shtuar numrin efektivëve në terren për të rujatur sigurisë dhe për të lehtësuar trafikun.
DETAJE:
Burimet zyrtare thanë se, me qëllim marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, të aksidenteve rrugore në shkolla e përreth tyre, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, 11 shator 2017 dhe në vazhdimësi, kreu i Policisë së Shtetit ka lëshuar një urdhër me detyra konkrete për secilën strukturë.
Urdhri parashikon që drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, komisariateve/stacioneve të policisë, të studiojnë e vlerë- sojnë situatën kriminale dhe vendosin shërbimet policore për kontrollin e territorit.
“Gjithashtu, sipas një plani masash, caktohen punonjësit e policisë që do të ngarkohen me shërbime për garantimin e rendit e sigurisë publike në shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe ato të larta”, bën me dije Policia në njoftimin e djeshëm.
Sipas zyrës për media në Policinë e Shtetit, në lidhje me kërcënimet për sulme të mundshme terroriste në vend, në planet e masave do të ketë prani të shtuar të prezencës policore në ambientet e shkollave në përgjithësi dhe në veçanti shkollat e huaja me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal apo terrorist në këto ambiente.
“Komisariatet për shkollat që kanë në juridiksion, për orët më të ngarkuara të pikut të lëvizjes dhe të problemeve të mundshme, të sigurojnë prezencë policore me shërbimet e kontrollit të territorit, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, të institucioneve që kanë një shërbim të tillë”, bëri me dije Policia. Sipas saj, Policia Rrugore do të kufizojë apo ndalojë parkimet, qëndrimet dhe lëvizjet e automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.
“Gjithashtu, do të mbyllen lokalet e tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë, janë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal”, kanë bërë me dije burimet zyrtare. (J.V/Shuplaka)