Ish-ministri i PD-së, Besnik Mustafaj, ka deklaruar se baza e partisë është e pakënaqur me kryetarin e saj Lulzim Bashën.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Mustafaj foli edhe për rezervat e ish-kryeministrit Berisha lidhur me situatën brenda partisë, pavarësisht se një ditë më parë i shprehu edhe vetë.
“Berisha ishte i pakënaqur me listat, me rezultatet në zgjedhje, me mënyrën sesi janë menaxhuar gjërat, dhe qëndrimin në Parlament, e se fundmi me votimin e Ruçit në Kuvend.
Kanë qenë disa momente ku Berisha ka dhënë sinjale se ishte i pakënaqur me atë se çka po ndodh, dhe ishte e pritshme që të bënte një analizë. Pra Berisha bën një analizë të përgjithshme, nuk merret me problemet e partisë. Duhet të them se Berisha nuk thotë publikisht të pavërteta”, u shpreh Mustafaj.
Ndër të tjera, Mustafaj tha se baza e Partisë Demokratike është thellësisht e pakënaqur nga Basha, i cili sipas tyre nuk po reflekton lidhur me situatën brenda në parti. (D.D/Shuplaka)