Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Luçiano Moxhi, i cili në mediat italiane prezantohet thjesht si këshilltar i presidentit Gaz Demi, përmes një interviste të dhënë për “Tuttomercatoëeb”, ka folur në lidhje me faljen që kapiteni Hoxha duhet t’i kërkojë ekipit.
Përveç gjobës 2 mijë euro, kushti shtesë i Moxhit për portierin është se ai duhet t’u kërkojë falje shokëve, përndryshe nuk do të aktivizohet. Me ironi, Moxhi deklaroi për portalin italian se kapiteni Hoxha kishte harruar të qëndronte në grumbullim para ndeshjes me Laçin.
Përpos deklaratave përsëritëse të “Big Luçiano”-s, kapiteni Hoxha vijon rrugën e tij duke mos u përulur. Madje, përmes një postimi në rrjetin “Instagram”, portieri i ka dërguar një mesazh të qartë ish-drejtorit juventin. “Kurrë nuk dorëzohem”, është mesazhi që ka përcjellë dje portieri Alban Hoxha në profilin e tij.
Postimi i djeshëm i kapitenit të “demave” mund të jetë i dykuptimshëm. Në aspektin sportiv, duke ditur se ekipi vjen pas një humbjeje në start me Laçin, postimi shikohet si kurajë ndaj shokëve të ekipit dhe tifozëve. Por ai merret edhe si mesazh karshi atyre që penalizuan në ndeshjen me kurbinasit.
Me shumë mundësi, konteksti i postimit shikohet si një “sms” për Moxhin &CO, ku Hoxha ka vendosur t’i mëshojë të drejtës së tij. Drejtuesit e klubit mbeten në pritje të faljes së kapitenit, por postimi i djeshëm i kapitenit e mban pezull situatën. Replikat e portierit me disa komentues e përforcojnë më shumë faktin se postimi i Albanit ka të bëjë me betejën me drejtuesit italianë, jo anën sportive që prodhoi ndeshja e parë me Laçin, shkruan ”Panorama sport”.
Komentet kanë qenë të shumta, ku nuk kanë munguar lëvdatat dhe mbështetja për kapitenin, si dhe kritikat dhe akuzat për Moxhin e stafin italian. Komentet kanë qenë të hapura, ku nuk kanë munguar edhe kritikat, ku kapiteni ka vendosur t’u përgjigjet disave, ku ai thotë se ata nuk janë në brendësi të situatës së tij, ndaj nuk duhet t’u besojnë lajmeve të gazetave.
Te komentet është edhe ironia e zv.kapitenit Batha, që ishte në stol ndaj Laçit, i cili i thotë që duhet të punojë akoma. Moxhi pret ndjesën e kapitenit, por Hoxha ka vendosur të mos dorëzohet. Në këtë duel, i humbur del vetëm Partizani, duke projektuar një tjetër sezon të dështuar.
(E.K/SHUPLAKA)