Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar ndaj Ramës në lidhje me deklarat që bëri sot para gjeneralëve të NATO-s. Sipas Bashës Rama sillet si lider global kur nuk bën detyrat e shtëpisë dhe kjo është e rrezikshme.
“Edi Rama ka dërguar qindra milionë për fasada godinash, për rehatinë dhe luksin personal të zyrës së ministres, si dhe qindra milionë lekë të tjera janë tretur rrugës nëpër tendera skandalozë sic ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është jo vetëm qesharake por edhe e rrezikshme të sillesh si lider global kur nuk bën detyrat e shtëpisë.”, u shpreh Basha.
REAGIMI
Përpara se tu japë mend vendeve anëtare dhe themeluese të NATO-s, apo gjeneralëve me përvojë dhe me shumë yje, se c’duhet të bëjë kjo organizatë me rajonin tonë, e në të ardhmen e saj, Edi Rama bën mirë të plotësojë detyrimet që ka Shqipëria. Përmbushja e detyrimeve, nuk është taksë, por kontribut për sigurinë e Shqipërisë dhe të rajonit.
Edi Rama e ka zbritur buxhetin për mbrojtjen kombëtare në kuotën më të ulët historike në 27 vjet, 0.75 për qind, si asnjë vend tjetër anëtar i NATO-s. Në vend që të garantojë buxhet për forcat e armatosura, për trajnimin e tyre, për rritjen e kapaciteteve dhe aftësisë vepruese, Edi Rama ka dërguar qindra milionë për fasada godinash, për rehatinë dhe luksin personal të zyrës së ministres, si dhe qindra milionë lekë të tjera janë tretur rrugës nëpër tendera skandalozë sic ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Është jo vetëm qesharake por edhe e rrezikshme të sillesh si lider global kur nuk bën detyrat e shtëpisë.