Urdhri i parë i firmosur nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është ai për Vettingun në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së.
Ministri Xhafaj ka firmosur nisjen e punës për ngritjen e strukturave që do të përgatisin procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës, integritetit dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.
Në urdhër parashikohet ngritja e grupit të punës, i cili kryesohet nga zv.ministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së (Pameca V) dhe ShBA-së (ICITAP), si dhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë. Kontributi aktiv i asistencës ndërkombëtare do të ndihmojë për zhvillimin e një procesi teknik sa më profesional, transparent dhe të besueshëm. (J.V/Shuplaka)