Tre shqiptarë dhe djali i bosit të tyre italian kanë rënë në prangat e policisë. Karabinierët i kanë arrestuar tre shqiptarët mbrëmjen e së premtes, në lagjen e Bruzzanos, në zonën veriore të qytetit të Milanos.
Akuza ndaj tyre dhe djalit të bosit të mafias kalabreze të familjes Pompeo është për pjesëmarrje në aktivitet kriminal me qëllim trafikun e lëndëve narkotike e shpërndarjen e kartëmonedhave euro false.
I arrestuari italian Luigi Pompeo 42 vjeç është djali i Rocco Agostino Pompeo, bosi i klanit mafioz kalabrez Pompeo e një nga familjet historike të Ndraghetas me veprim në qytetin e Milanos. Ndërsa tre të arrestuarit shqiptarë janë:
-Eduard Korkaj, 31 vjeç,
-Anxhelo Malollari, 30 vjeç,
-Igli Malollari, 18 vjeç.
Baza e kësaj bande ishte në lagjen Bruzzano, në apartamentin e një të moshuari që kishte ndërruar jetë e pa trashëgimtarë.
Policia ka sekuestruar plot 88 kartmonedha falso të prerjes 100 euro, 242 kartmonedha fallso të prerjes 50 euro, 51.1 kg marijuanë, një pistoletë browning e kalibrit 7.65 e municion. (D.D/Shuplaka)