Jon Huntsman, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për ambasador të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Rusi, është i bindur se vitin e kaluar Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Këtë deklaratë Huntsman e bëri gjatë seancës dëgjimore të konfirmimit para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.
“Nuk ka asnjë dyshim, e nënvizoj asnjë dyshim, se Qeveria ruse ka ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së vitin e kaluar,” tha Huntsman.
Edhe pse pritet të konfirmohet si i dërguar i Uashingtonit në Moskë, Huntsman nuk ka nguruar që t’i bëjë këto deklarata.
Ekspertët e kanë vëzhguar nga afër dëshminë e tij për të krijuar një ide se si do t’i trajtojë marrëdhëniet SHBA-Rusi, të cilat janë në nivelin më të keq të mundshëm që nga Lufta e Ftohtë. (D.D/Shuplaka)