Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, i ftuar në “Studio e Hapur”, ku ka folur për çështjen e Ballist Morinës, ka rrëfyer dhe takimin që ka patur me të në qeli, një takim që ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë.
“Kur e pashë në fillim nuk e kam njohur. Ai nuk kishte me mjekër dhe dukej shumë i brishtë. Por në mendimet dhe veprimet e tij ai ishte shumë i vendosur dhe i përgjegjshëm për atë që kishte bërë.
Në burgun e Dubrovnikut kishte dhe shqiptarë të tjerë. Ata i kishin kërkuar morinës që të vendosnin në qeli flamurin shqiptar, por Morina nuk kishte pranuar. Ai u kishte thënë që flamuri është bërë të valëvitet i lirë dhe jo të vendoset në qeli.
Drejtori i burgut ishte shumë i kënaqur. Ai më tha që Ismaili ishte bërë shembull për të gjithë ata shqiptarë që janë në burg. Unë në të gjitha bisedat që kam pasur me të ai asnjëherë nuk ka shfaqur frikë”, tha ai.
Ai gjithashtu u shpreh se pret një vendim pozitiv nga ministri kroat i drejtësisë. (B.H/Shuplaka)