Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka ftuar presidentin amerikan Donald Trump, që të vizitojë Serbinë.
Në një deklaratë për mediat serbre, Vuçiç ka deklaruar se presidenti Trump e ka pranuar ftesën e tij, duke e konsideruar atë “një ide e mirë”.
“Kur ia bëra ftesë, detajisht ia arsyetova se pse mendoj se është e rëndësishme të vijë në Serbi. Fola rreth raportit të gjithë qytetarëve serbë ndaj tij dhe politikës amerikane, se si do ta presin njerëzit në Serbi dhe për atë se ardhja e tij do të tregonte se sa e duan serbët këtë miqësi. Nëse dhe kur do të vijë Trump, unë jam i sigurt se do të vijë, por kur- varet nga axhenda e tij dhe gjërat e tjera,” tha Vuçiçi.
Po ashtu, presidenti serb tregoi se Trump i kishte thënë se ngjante si “lojtar i NBA-së”. Mirëpo Vuçiç i është përgjigjur se ishte “shumë i shkurtër dhe i dobët” dhe se kishte provuar të luante më parë por “pa sukses”.
Lidhur me takimin e tij em Trump, Vuçiç është mburrur para kamerave serbe se ia dha dorën Trump “katër herë” dhe ka qëndruar me të më shumë se liderët e tjerë të Ballkanit.
“Pata pak më shumë kohë në dispozicion me të se sa të ftuarit e tjerë, falë bisedës që filluam, ndoshta edhe sepse isha nga i njëjti rajon si bashkëshortja e tij”, tha Vuçiç, duke iu referuar Sllovenisë, vendlindjes së Melanias.
Vizita e Trump në Serbi, pritet që të ndodhë në vitin 2018. (D.D/Shuplaka)