Pavarësisht se viti i ri shkollor ka filluar prej dy javësh, 35 fëmijë të fshatit Bradashesh në Elbasan nuk shkojnë në shkollë.
Në një kronikë të Ora News, prindërit e këtyre fëmijëve ankohen se transporti për në shkollën 5 kilometra larg nuk është më falas këtë vit siç ka qenë më parë. Ndaj edhe fëmijët e tyre prej një jave nuk kanë shkuar në shkollë.
Ata shprehen se e kanë të vështirë që të përballojnë pagesën e transportit ndaj kërkojnë një zgjidhje nga bashkia ose qeveria.
“Këtu janë 50 familje. Punë jo, ambulancë jo, fëmijët i kanë çantat të rënda. Rruga është shumë e keqe” , thotë një prind.
Për këta banorë, transporti i fëmijëve për në shkollë ka qenë gjithmonë një problem. Mirëpo këtë vit i është hequr mundësia të jetë falas. Drejtoria arsimore po punon për të negociuar për uljen e çmimit, por jo për ta kthyer transportin sërish falas.
“Kemi kontaktuar me banorët e fshatit Bradashesh dhe me personin që ka linjën e transportit të udhëtarëve për linjën Elbasan- Bradashesh që të gjejmë një zgjidhje.”, thonë nga drejtoria arsimore. (D.D/Shuplaka)