Ditën e sotme gazetari investigativ Artan Hoxha, është shprehur kundër operacioneve të policisë për të ndaluar makinat luksoze me pretendimin se po luftojnë krimin.
I ftuar në studion e emisionit, “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, gazetari Hoxha është shprehur skeptik për këto operacione.
“Ne po flasim për një natyrë krejt tjetër të krimit që shkaktojnë vrasje në mes të qytetit, ata e kanë sfiduar shtetin ia kanë hedhur dorashkën. Janë të fuqishëm, kanë buxhet dhjetëra e qindra miliona euro edhe më të madh se Ministria e Brendshme, kanë burime logjistike”,- tha Hoxha.
Duke iu referuar mbi të gjitha operacioneve në Elbasan dhe në Vlorë, operacione të cilat u shoqëruan edhe me të arrestuar, Hoxha tha se në të vërtetë nuk është kapur deri më tani kapur asnjë nga “kokat” apo “bosët” e krimit. Si shembull Hoxha përmendi edhe Klemend Balilin, duke e rikthyer edhe njëherë “Eskobarin e Ballkanit’ në vëmendjen e mediave.
“Si nuk dëgjova në Elbasan, Vlorë apo Sarandë që të kapet një person me rrezikshmëri të lartë. Një vit e gjysmë u përfol për një person me rrezikshmëri të lartë, quhej Kelment Balili “Eskobari i Ballkanit”. Si ka mundësi që se përmend më njeri pas fushatës? A e kërkojnë më? Nëse e ke në kërkim dhe hesht dhe shkon atje ndalon çdo njeri që sheh me makinë luksi,mos prit rezultate. Këto operacione kanë efekt mediatik. S’ke sukses po nuk bashkëpunove me organe të tjera si Prokuroria apo Shërbimi sekret. S’ke shans t’i kapësh bosët e drogës me furgona policie”,tha gazetari. (D.D/Shuplaka)