U dëmtua jo pak Saimir Tahiri pas shkarkimit që Edi Rama i bëri. Një ”kokë turku” për hir të çadrës së PD-së, edhe pse ka informacion që nuk qe vetëm kaq, por edhe presion ndërkombëtarësh.
Megjithatë, aq sa i lejon pozita si kryeministër dhe strategjitë që mund të përdorë, Edi Rama u mundua ta ”rehabilitojë” Tahirin. Kuptohet, duke e shfrytëzuar fuqishëm, edhe pse me konsensus për të fituar zgjedhjet e pas fitores së tyre e riktheu në politikë si deputet (më pas duke i dhënë një post simbolik por pa peshë, si kryetari i komisionit të bashkëqeverisjes PS-qytetarë).
I gjendur në një moment shumë të vështirë, Tahiri gjeti në mbledhjen e asamblesë së PS-së indiferencën e socialistëve të tjerë, të cilët hezitonin edhe ta përshëndesnin. Edi Rama nuk zgjodhi ta thërriste emrin e tij në listën e atyre që do i përzgjidhte si anëtarët e kabinetit.
Bujë më pas bëri edhe një foto kapur nga mediet e Saimir Tahirit në fund të sallës kur Kuvendi nisi punimet, mendueshëm dhe trishtueshëm, larg grupit të tij parlamentar. E qartë, si drita e diellit, Edi Rama veproi në mënyrën që njeh gjithnjë ai: shmangu ”problemin”. Kështu ka ndodhur dhe sot, Tahiri gjendet në rradhën e fundit të të gjithë socialistëve.
Por së fundmi qejfmbetja e Saimir Tahirit është riaktivizuar publikisht. Kryesisht kaloi në heshtje, maksimumi me gjeste pakënaqësie në publik ose me pjesëmarrjen në ndonjë spektakël humoristik ku ironizohej dorëheqja, por një video që ka pak ditë që po qarkullon tenton të tregojë se sa ”hero” ka qenë Saimir Tahiri në kohën që drejtonte ministrinë, edhe pse e ”prenë në besë”. Një video që mund të ngre peshë zemrat e militantëve dhe njerëzve afër Tahirit, por që tingëllon patetike për pjesën tjetër të njerëzve që mendojnë se qe pikërisht Tahiri që kanabizoi vendin.
Kjo është video që po qarkullon në disa medie, e që ka nisur të shpërndahet te mbështetësit e tij.
Si të mos mjaftonte vetëm video, e cila në rastin më të mirë do komentohej ”s’ka dorë ai, është ideja e të tjerëve”, Tahiri ka dhënë konfirmimin e dakordësisë me mesazhin që shpërndan duke falenderuar publikisht moderatorin e ”Oktapod”-it që e ka shpërndarë.
Por përveç kësaj, një sërë shkrimesh po qarkullojnë në medie të tjera, lidhur edhe me një gjest që Tahiri bëri kur ishte ministër për të ndihmuar një njeri në nevojë. Kjo nuk është një ngjarje e re, por pse po risillet tani në vëmendje?!
A po riaktivizohet edhe njëherë figura e Saimir Tahirit?!
A është ”rehabilituar” plotësisht ajo pas imazhit të keq që pati te shqiptarët dhe bota si ministri i kanabisit?!
A do rikthehet edhe më fuqishëm në politikë Tahiri duke sfiduar Edi Ramën apo këto janë rrugë që ia mëson shefi i tij i madh?! (V.G/SHUPLAKA)