Mbi 9 mijë policë janë duke u stërvitur për t’u angazhuar në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, që do të mbahen në tetor.
Stërvitja është organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë në bashkëpunim me OSBE-në.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski , në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” tha se dikasteri që drejton ai po bën të gjitha përgatitjet përfundimtare për të pasur një proces zgjedhor të besueshëm nga të gjitha palët.
“Ne për çdo ditë e japim kontributin tonë që mos të ketë incidente, të zvogëlohet numri i incidenteve, ose të mos arrihet deri në incidente më serioze të cilat do të mund ta prishnin procesin zgjedhor. Por këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, pjesën e vet të punëve, ingjerencat që ka, autorizimet që i ka në dispozicion do t’i zbatojë, që me të vërtetë të sigurohen zgjedhje fer dhe demokratike dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, qytetarët të mund të marrin vendime”, thotë ministri Spasovski.
Zgjedhjet lokale do të përcaktojnë të ardhmen e partive politike dhe incidentet do të bënin që Maqedonia të humbte përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. (D.D/Shuplaka)