Për masakrën që ndodhi në Las Vegas ku deri më tani raportohen 59 viktima dhe 527 të lënduar ende nuk është zbardhur tamam motivi i kësaj ngjarje të rëndë. FBI-ja është angazhuar në hetime, në mbështetje të forcave lokale të rendit dhe sipas tyre sulmi nuk ka patur lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.
Edhe CIA këshilloi të kihet kujdes dhe të mos nxirren përfundime të nxituara, pas një deklarate të bërë prej grupit Shteti Islamik i cili mori përgjegjësinë për tragjedinë në Las Vegas.
Zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu tha se agjencitë amerikane të zbulimit janë në dijeni të pretendimit të ISIS-it. Por ai shtoi se njerëzit nuk duhet të nxitojnë për të gjykuar “para se të gjenden faktet”.
Shteti Islamik ka thënë se personi që shtiu, Stephen Paddock e kreu sulmin në emër të këtij rrjeti sepse kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë. (J.V/Shuplaka)