PD dhe LSI do të kenë detyrën e vështirë në katër vitet e ardhshme, të bëjnë opozitën e fortë përballë qeverisë, e cila është me ‘’një timon” ashtu siç pëlqen kryeministri Rama që ta quajnë.
Kryemadhi dhe Basha të ftuar në emisione të ndryshme televizive kanë dhënë mbrëmë sinjale afrimi, edhe pse ende është herët për të folur për një aleancë qeveritare. Mes tyre ka pasur një takim para pak ditësh dhe në Kuvend, ku nuk ka munguar as një puthje në faqe.
Mirëpo Basha i pranishëm dje në “Top Story” për atë takim në sallën e Kuvendit tha se nuk ka të bëjë me raportet mes dy personave.
“Nëse do të flasim për puthjen këtu nuk është emisioni i pasdites. Kush e bën emisionin e pasdites në TCH? Jonida Shehu. Aty mund të flasim për puthjen”– tha Basha duke qeshur.
Ai tha se marrëdhëniet me LSI-në janë të kushtëzuara për shkak të kundërshtarit që kanë përballë.
“Ne nuk jemi në qeveri të krijojmë një koalicion. Ne jemi në opozitë. Neve na bashkojnë taksta, plehrat, shqetësimet e qytetarëve përballë një mazhorance që ka amalguar lidhjene saj me krimin” , u shpreh Basha.
Ndërsa kryetarja e LSI-së Kryemadhi e ftuar në ‘’360 gradë” është shprehur se ka besim te Basha. Në lidhje me marrëveshjen e Majit, Kryemadhi u shpreh se Basha gaboi dhe u përdor si një kamzhik kundër LSI-së nga ana e Ramës.
DEKLARATAT E KRYEMADHIT PËR BASHËN:
E para njëherë, unë besoj te z. Basha. Pse besoj te z. Basha? Besoj te ambicia që ka ai për të ardhur në pushtet. E dyta, besoj dhe nuk do të dëshiroja ta besoja kurrë se ia ka me hile vetes së tij, pavarësisht se mungesa e eksperiencës në politikë dhe mungesa e eksperiencës politike në marrëveshjen me Edi Ramën e bëri që të krijonte probleme për veten e tij në zgjedhjet e 25 qershorit. Unë mendoj që është në të njëjtin pozicion siç ishte Ilir Meta në 2007 kur Edi Rama e përdori LSI-në për të marrë mandatin dhe pastaj bëri gjithë atë furtunën e ndryshimeve kushtetuese brenda 24 orëve në natën e errët.
Në një debat, në qoftë se unë do të ulem ballë për ballë me z.Basha dhe ai do të ngrejë argumenta, ose z.Zheji apo dikush tjetër do të na nxjerrë përballë se cfarë ka thënë z. Basha në fushatë dhe çfarë ka thënë Monika apo Petrit Vasili në fushatë për z.Basha, ne do të ballafaqohemi dhe do të lejmë argumentat tona.
Ka një problem. Kush është problemi? Problemi i gjithë gjërave është se z. Basha tha se ka argumenta që tregojnë për shushunjat e LSI-së, por dolën që shushunjat më të mëdha ishin të PS.
Me ardhjen e ministrave teknik që z.Basha i vuri në qeverinë e z.Rama, të gjitha shushunjat e LSI-së i hoqi z.Basha me firmën e tij.
Task-forca u ngrit vetëm për të hequr njerëzit e LSI-së dhe ikën faktikisht dhe sot e kësaj dite, me përjashtim të një ose dy drejtorëve që nuk ishin të ngrirë nga Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, nuk ka asnjeri.
Unë them që z.Basha u mashtrua. Ndoshta edhe ndërkombëtarët ndikuan sadopak për ta vendosur në një cep të vetëm duke pasur parasysh që paketa McAllister ishte më e mirë se ajo e Hoyt Yee dhe i jepte shumë më shumë kontroll Bashës për procesin zgjedhor, megjithatë kjo ka të bëjë me rrethin që ka ai rreth e qark vetes së tij.
(E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post