“Çfarë biznes është ky? Ky është vetëpunësim për të jetuar”. Kështu është shprehur Edi Rama teksa ishte në opozitë para se të vinte në qeveri në takimet e tij me bizneset e vogla.
Duke folur për gjendjen që ndodheshin bizneset dhe taksat nga qeveria Rama ka deklaruar se duhet të bëhej një zhvillim radikal në këtë sektor.
“Duhet bërë një zhvillim radikal komplet. Duhet lehtësuar maksimalisht, te të gjitha peshat fiskale dhe administrative në mënyrë që të fillojmë të marrim pak frymë se ky është jo vetëm dregradim ekonomik por është edhe degradim social, është degradim komunitar, është degradim shpirtëror masiv”, është shprehur Rama.
Por sot pas 4 vite të tij qeverisjeje dhe përsëri pas marrjes së mandatit të dytë çfarë ka bërë Rama për biznesin e vogël?
Kryeministri theksin e ka vënë ditët e fundit te informaliteti që ekziston edhe te biznesi i vogël. Ai ka theksuar se të gjitha subjektet, edhe subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH. Rama ka nënvizuar se taksat ndaj biznesit të vogël do të jenë zero.
“Në funksion të luftës kundër informalitetit, ne do t’i fusim të gjitha subjektet, përfshirë dhe subjektet e biznesit të vogël, në regjimin e TVSH-së. Kemi lexuar që ka dalë si gjoja informacion nga brenda Ministrisë së Financave, që ne do të vendosim apo do të rrisim taksën për biznesin e vogël. Kjo nuk është e vërtetë. Ne e kemi bërë zero taksën për biznesin e vogël dhe taksa për biznesin e vogël do të vazhdojë të jetë zero. Por, nga ana tjetër, ne do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit e duke përfshirë në regjimin e TVSH-së do të mbyllim hapësirat për të gjitha ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH-në. Nga ana tjetër, do të pamundësojmë që një pjesë e bizneseve të vogla të bëjnë konkurrencë të pandershme me pjesën tjetër, duke mos pranuar faturë TVSH-je nga të mëdhenjtë. Kjo është strategjia e këtu nuk ka kompromis! Nuk është rritje takse”, u shpreh Rama.
Por çfarë sjell TVSH-ja për të gjitha bizneset?
Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH ka efekte komplekse në treg. Një nga rrisqet më të mëdha është se TVSH do të detyrojë që bizneset të rritin çmimet e produkteve dhe si pasojë atyre do t’iu bien shitjet në treg.
Po kështu edhe për vetë biznesin e vogël do të rriten shpenzimet pasi do i duhet të paguajë një kontabilist për të bërë deklarimin e TVSH-së dhe të blejnë pajisjet elektronike që mbajnë evidencën e inventarit. Të gjitha këto do të detyrojnë që biznesit t’i rriten shpenzimet dhe të rrit çmimet e tij.
Ndërkohë një punë e madhe është edhe për vetë tatimet pasi administratës do t’i duhet të kontrollojë me dhjetëra mijëra biznese të vogla, të cilat sot nuk kontrollohen me të njëjtën vëmendje. Kjo është edhe arsyeja se përse Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë gjithmonë skeptik ndaj kësaj mase pasi ka shumë shprenzime edhe në staf.
Tjetër, një pjesë e bizneseve të vogla mbijetojnë në treg, pikërisht për shkak se nuk paguajnë TVSH-në.
Vendosja e TVSH-së mund t’i detyrojë disa nga këto biznese të falimentojnë, duke rritur papunësinë.
A është e nevojshme tani vendosja e TVSH-së edhe për bizneset e vogla kur tregu nuk është i sigurt dhe i qartë? Si do i justifikojë Edi Rama ato biznese të vogla që me këtë taksë mund të mbyllen? Po gjithë ata të papunë që do të mbeten?
Theksojmë që ka shumë biznese të vogla në vend që veprojnë ende pa TVSH. (J.V/Shuplaka)