Në orët e vona të mbrëmjes sën djeshme Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar kater efektive të burgut të Peqinit, të cilët kanë qenë në turn mbrëmjen e 30 shtatorit.
Këto arrestime janë bërë dy ditë pasi Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi masakrimin e një të burgosuri nga gardianet e burgut, të cilet kishin shkuar për kontroll, por përfunduan duke rrahur të burgosurin me inicialet V.G.
Deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në bazë të një sinjalizimi se, në IEVP Peqin është ushtruar dhunë ndaj një të dënuari, në dt. 04.10.2017 kreu një verifikim nga ku rezultoi se, në dt. 30.09.2017, rreth orës 22.30, në Sektorin e Sigurisë së Lartë të IEVP Peqin, Grupi i gatshëm i Policisë së Burgjeve ka ushtruar kontroll për sende të ndaluara. Gjatë këtij kontrolli, uniformat e policisë së burgjeve janë futur në qelinë nr. 12, të këtij sektori, ku kanë pyetur të dënuarit e pranishëm nëse kishin sende të ndaluara. I dënuari V. G., është përgjigjur se nuk kishin sende të ndaluara. Pas kësaj përgjigjeje, i dënuari V.G pretendon se punonjësit e Grupit të gatshëm e kanë goditur atë me shkopinj gome në pjesë të ndryshme të trupit si në shpinë, bark dhe shputat e këmbëve.
Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.
Të njëjtat rrethana të kësaj ngjarje u konfirmuan edhe nga i dënuari tjetër L. G., i pranishëm në të njëjtën qeli.
Në fakt, pas ushtrimit të dhunës, Grupi i gatshëm nuk ka kontrolluar qelinë për sende të ndaluara. Në dt. 02.10.2017, ditën e hënë, i dënuari V. G., deklaroi se është vizituar nga një infermier në spitalin e IEVP Peqin.
Grupi i KShH kqyri kartelën personale mjekësore të të dënuarit dhe Librin e Shërbimit 24-orësh të urgjencës ku nuk figuronte asnjë e dhënë lidhur me vizitën apo shenjat e dhunës.
Në takim me drejtuesin e IEVP Peqin mësuam se, për këtë ngjarje kishte patur dijeni shefi i regjimit të brendshëm të burgut ndërsa vetë drejtuesi i IEVP Peqin nuk dinte gjë.
Çdo punonjës i IEVP Peqin që ka marrë dijeni për këtë ngjarje kishte detyrimin ligjor të bënte menjëherë kallëzim penal pranë organeve kompetente. Është tepër shqetësuese neglizhenca ndaj kësaj ngjarje tepër flagrante, nga personeli që ka patur dijeni për të. KShH vlerëson se ngjarja e mësipërme në të cilën është ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit është shumë e rëndë.
Ajo përbën vepër penale, madje në vështrim të Nenit 3, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka elementë të trajtimit çnjerëzor. KShH e dënon këtë vepër dhe kërkon verifikime të mëtejshme dhe marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës.
KShH i drejtohet gjithashtu edhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje që kjo ngjarje të ndiqet penalisht duke zbatuar legjislacionin në fuqi. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, KShH sugjeron që të merren masat përkatëse për respektimin rigoroz të ligjit dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla. (J.V/Shuplaka)