Unioni i Gazetarëve Shqiptar ka reagurar në lidhje me pengesën që i’u bë gazetarit të Report Tv për të hyrë në Parkun e Butrintit, ku media ka raportuar prej ditësh se po bëhet një ndërtim me beton.
Unioni i Gazetarëve e ka dënuar këtë akt duke e konsideruar mjaft të rëndë dhe që bie ndesh me legjislacionin shqiptar.
Kujtojmë se UNESCO përgënjeshtëroi ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke thënë se ky institucion nuk është vënë në dijeni në lidhje me ndërtimin që po bëhet.
DEKLARATA E PLOTË:
Deklarate e Unionit te Gazetareve Shqiptare
Denoncojme pengimin e gazetareve per raportim dhe vizite ne Parkun Arkeologjik Kombetar të Butrintit
Tirane me 10 Tetor 2017
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë pengesën që ju bëhet reporterëve për të kryer punën e tyre të informimit të publikut.
Rasti i Butrintit, ku nuk u lejua gazetari Limos Didani i cili punon për Report TV të raportojë mbi punimet që po kryhen brenda sitit arkeologjik është një akt i rëndë që kërkon sqarime të menjëhershëm nga eprorët e Muzeut të Butrinit, pra ministrisë së Kulturës.
Rasti i pengimit të gazetarit për të hyrë në Park qoftë edhe si vizitor është i paprecedent dhe bie ndesh me legjislacionin shqiptar. UGSH kërkon vënien para përgjegjësisë ligjore dhe administrative të urdhërdhënësit për një pengim të tillë dhe rritjen e përgjegjësisë së kolegëve për zbardhjet e rastit në fjalë dhe të asaj ç’ka po ngjet aktualisht në thellësi të mjediseve te brendshme te Parkut të Butrintit.
Zyra e shtypit
Unioni i Gazetareve Shqiptare