Petrit Vasili , kreu i grupit parlamentar të LSI-së, ka sulmuar sërish kryeministrin e vendit Edi Rama duke thënë se vendi po rrëshket në duart e krimit.
Vasili shkruan se Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga drejtimi asgjësues i parlamentit dhe nga kriminalizimi kryeministror.
Ai citon Këshillin Europian për marrëdhëniet e Jashtme që shprehet se “Shqipëria ka ndarje të thellë politike, ku politika dhe marrëdhëniet mes klaneve ndërthuren në një rrjet hakmarrje dhe korrupsioni”.
POSTIMI I PLOTË:
Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga drejtimi asgjesues i parlamentit dhe nga kriminalizimi kryeministror.
Mediat europiane janë shumë të qarta, që kryeministri shkollëpak i këtij vendi me paaftësinë kriminale të tij dhe të atyre që i bëjnë fresk po e çon këtë vend në një greminë ekonomike dhe politike.
Në parlamentin e degraduar që drejtohet me një servilizëm, që nuk është parë as në fillimet e pluralizmit po realizohet vetëm qetësimi i paranojave biologjike dhe politike të kryeministrit mendjehumbur në kurriz të parlamentarizmit. Po jetojmë skandalozisht parlamentin e partisë së punës dhe Shqipëria Republikë Parlamentare po shembet nga atavizmat e së shkuarës komuniste.
Vendi po shket shumë rrezikshëm në duart dhe pushtetin e krimit dhe pergjegjësia për jetën e mijëra familjeve e bizneseve, është vetëm e një njeriu, e kryeministrit, i cili do që të ikë duke lënë zjarrin prapa.
Ja çthotë media, Këshilli Europian për marrëdhëniet e jashtme:
Shqipëria ka ndarje të thellë politike, ku politika dhe marrëdhëniet mes klaneve ndërthuren në një rrjet hakmarrje dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave po lulëzon në këtë vend. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në vend që ti përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisë, rishtazi e ka përkeqësuar gjendjen duke folur për Shqipërinë e Madhe. (B.H/Shuplaka)