Astritin mund edhe ta keni ndeshur rrugëve të Tiranës, apo qyteteve të tjera ku ai ndalet me pasionin për portretet. Me shpirtin e palodhur ai tregon sesi është kthyer nga Athina dhe prej disa kohësh shkon nga një qytet në tjetrin për të ushtruar profesionin e tij.
Artisti tregon po ashtu se njerëzit sido që të jenë i vizaton në qeshur, qofshin këta edhe me rrudha në ballë të shkaktuara nga rrëzimet e jetës.
“Një njeri të mërzitur unë e vizatoj gjithnjë të qeshur. Ia fshij rrudhat në ballë të shkaktuara nga rrëzimet e jetës, ia heq vragat dhe i kthej rininë. Kënaqësia më e madhe në punën time është që buzëqeshjen e një fëmije, e një nëne apo të një gjyshi ta hedh në letër ku do jetojë përgjithnjë. Edhe pse liceun e kisha përfunduar në vitin 1985, vetëm pas 10 viteve fillova të pikturoj në rrugët e Athinës, dalëngadalë pasioni dhe ëndrra ime u kthye në profesion.
Kam disa vite që jam kthyer dhe bëj të njëjtën gjë këtu, nga njëri qytet në tjetrin, njerëzit kanë filluar ta vlerësojnë punën që bëj dhe dita ditës shtohen ata që kërkojnë tu bëj portrete ose piktura të ndryshme. Ne piktorët dalim në natyrë, marrim dritën me gjithë këndet e saj, marrim natyrën me gjithë elementët e saj dhe me të gjitha këto mbushim dhomën tonë të errët ku pikturojmë, në dallim nga politikanët që errësirën e dhomave dhe shpirtit të tyre e nxjerrin dhe ia japin natyrës dhe njerëzve.
Problemi me shqiptarët ndonjëherë është që mendojnë se ne që lodhemi e punojmë e kemi gabim, e ata që vjedhin e mashtrojnë e kanë mirë. Por do na kalojë. Dikur do dalë dielli mirë edhe në këto vise dhe do e shohim qartë njeri tjetrin. Hajdutin do e përcmojmë dhe punëtorin do e adhurojmë”, ka treguar për ”Nisma Thurje” Astriti. (E.K/FAXWEB)