Ndalohet në zvicër Adrian Xhillari, ishte shpallur në kërkim për aferën e naftës virgine Arrestohet nga autoritetet zviceriane Adrian Xhillari, një prej të akuzuarve për aferën e kontrabandës së naftës virgine i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi nuk u gjet vendodhja e tij pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Burime të organit qendror të akuzës pohuan për BIRN se, javën e kaluar është bërë e mundur të identifikohet vendndodhja e Adrian Xhillarit në shtetin zvicerian, si edhe ndalimi i tij për llogari të drejtësisë shqiptare. Ndërkohë, mwsohet se prokuroria ka dërguar menjëherë letër-porosinë e shoqëruar me urdhër-ndalimin dhe dosjen hetimore në ngarkim të Xhillarit, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Pritet që në ditët në vazhdim, autoritetet e drejtësisë zviceriane të vendosin për ekstradimin ose jo të Xhillarit. Administratori i kompanisë “Tea Construksion&Petrol sh.a.”, Adrian Xhillari akuzohet për veprat penale “fshehje e të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe ndaj tij vazhdon të qëndrojë masa e sigurimit “arrest në burg”. Aktualisht, çështja në ngarkim të Xhillarit, ish-zv/Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Lula Njebza dhe ish-kreut të Degës së Doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhiu, po shqyrtohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë deri në momentin që Gjykata e Lartë do të vendosë për kompetencën. Kjo, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi të shpallë moskompetencën për gjykimin e kësaj çështje duke e dërguar në Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit gjeti se vendimi i kolegëve në Fier ishte i paligjshëm dhe vendosi të ngrejë çështje të mosmarrëveshjes së kompetencës tokësore dhe dërgimin e kopjes së akteve Gjykatës së Lartë. Çështja ndaj tre të akuzarve të sipërcituar nisi pas një denoncimi të kryer nga Crown Agents në Maj të vitit 2015 në Prokurorinë e Fierit. Në Dhjetor të po atij viti prokuroria urdhëroi ndalimin e Xhillarit, Njebzës dhe disa doganierëve të tjerë të akuzuar për “falsifikim” e “shpërdorim detyre”, ndërsa disa muaj më vonë dosja u dërgua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier për shqyrtim. Sipas prokurorisë, Adrian Xhillari, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Tea Construction & Petrol”, ka blerë në Maj të vitit 2010 një sasi prej 5.65 milionë kg naftë virgine me vlerë 500 milionë lekë nga rafineria e Ballshit. Në Janar 2014 Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatim Paguesve të Mëdhenj dhe Dogana e Tiranës, kanë inspektuar depozitat e kompanisë në Kodër Mëzez në Tiranë për të verifikuar sasinë e naftës virgine që kompania kishte në gjëndje, e cila është vlerësuar nga grupi përbashkët i inspektimit në 4.4 milionë litra. Sipas prokurorisë, pas inspektimit në Gusht 2014, Xhillari ka ndërtuar në bashkëpunim me të pandehurën Lula Njebza, në atë kohë zv/Drejtorëshë e Përgjithshme e Doganave dhe të pandehurin Mirëarbër Teneqexhiu, me detyrë Drejtor i Doganës së Tiranës, një skemë fiktive për zhvendosjen e sasisë së naftës të depozituar në Kodër Mëzez drejt depozitës G-43 në Ballsh, duke i mundësuar kompanisë Tea Construction & Petrol të hedhi në treg në mënyrë të paligjshme, sasinë prej rreth 4.4 milionë litra “naftë virgine” dhe të shmang detyrimet tatimore të akcizës. Në seancat e para të gjykimit, tw pandehurit Alfred Bushi dhe Syrja Misiraj, kërkuan të aplikohej gjykimi i shkurtuar ndaj tyre dhe për këto arsye gjykata vendosi të ndajë çështjen. Ata u dënuan të dy në Gjykatën e Fierit, por Apeli i Vlorës, më 3 Mars 2017 vendosi pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Alfred Bushi duke e cilësuar atë të pafajshëm dhe lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për të pandehurin Misiraj. Pas tyre, ndarje të çështjes kërkoi edhe i pandehuri Adrian Alikaj. Ndërkohë, tre të pandehurit e tjerë, Xhillari, Njebza dhe Teneqexhiu, kërkuan shpalljen e moskompetencës tokësore të gjykimit të kësaj çështje penale nga Gjykata e Fierit, sepse sipas tyre “veprimet dhe mosveprimet për të cilat akuzohen kanë ndodhur në Tiranë”./Fax News/