Shqiptarët shpenzojnë njëlloj si për t’u kujdesur për shëndetin e tyre, vizita te mjeku apo medikamente, po aq edhe për të konsumuar duhan apo alkool, ndër shkaqet kryesore të disa sëmundjeve.
Në anketën e buxhetit të familjes për vitin 2016, të publikuar nga INSTAT, rezulton se shpenzimet për shëndetin janë 3.4% të shpenzimeve familjare dhe 3.4% për pije alkoolike dhe duhan.
“Është e dhimbshme kur mëson se janë të njëjtat shpenzime, pasi do të thotë që popullata nuk po edukohet siç duhet për shëndetin”, tha Mira Rakacolli, zv.ministrja e shëndetësisë.
Në 3.4% shpenzime për shëndetin, sipas anketës së INSTAT, 75% të tyre shkojnë për medikamente. Por zv.ministrja e shëndetësisë thekson për ‘’TCH” se shpenzimet e shëndetësisë kanë pësuar një tjetër ulje.
“Ka një tendencë në ulje, pasi dy vjet më parë shqiptarët harxhonin 4.9% të shpenzimeve familjare për shëndetin dhe pjesa 75%, nuk janë vetëm medikamente, pasi futen dhe suplemente të ndryshme që jepen pa recetë”, tha Rakacolli.
Sipas Rakacollit, shpenzimet për shëndetin janë ulur poshtë 3.4% gjatë vitit 2017, pasi nisën të ofrohen shërbime shëndetësore falas dhe barna të rimbursuara edhe për personat që nuk paguajnë sigurime shëndetësore. Dhe nëse pacientët ndjekin sistemin e referimit, medikamentet që përshkruhen në recetë nga mjeku, i marrin falas.