Ditën e djeshme një 35-vjeçarshqiptar i quajtur Valton Loka mbeti i vrarë nga një 26-vjeçare greke. Gjykata e Kretës ka vendosur sot arrest me burg për të renë e cila tha para trupit gjykues që i vinte keq për atë çfarë kishte ndodhur.
“Më vjen keq, nuk doja, nuk jam vrasëse”, mësohet të ketë thënë vajza freke gjatë seancës.
35-vjeçari u përpoq të ndihmonte 26-vjeçaren e cila është përdoruese e drogërave, por ajo e goditi me thikë në kraharor duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërkohë, mediat lokale thonë se bashkëshortja e viktimës dhe familjarët e tyre do të nisen sot drejt Shqipërisë për funeralin e të ndjerit. Viktima ishte baba i dy fëmijëve, ndërsa gruaja e tij ka kërkuar mbështetje financiare për shpenzimet e funeralit.
Nga ana tjetër, mediat greke kanë publikuar informacione të tjera lidhur me 26-vjeçaren që kreu krimin.
Ajo ishte lënë e lirë nga autoritetet vetëm disa orë përpara se të kryente krimin. Vajza ishte arrestuar dhe akuzohej për grabitje, ndërkohë që me kërkesë të prokurorit, një gjyqtar grek vendosi që 26-vjeçares t’i jepej një shans për t’u rehabilituar meqënëse është përdoruese droge. Kështu, e reja e cila është diagnostikuar edhe me HIV/AIDS, u la e lirë me kusht disa orë para se t’i merrte jetën 35-vjeçarit shqiptar Valton Loka, shkruan ”Tv Klan”.
Vajza ishte abuzuar seksualisht në moshë të re dhe gjatë viteve të fundit ka udhëtuar mes Athinës, Rodhosit, Kretës duke shitur trupin e saj.
Në orët e para të së shtunës, ajo kishte marrë ndihmën e parë në spital për shkak të gjendjes së dobët nga përdorimi i drogës dhe më pas ishte kthyer në shtëpi. Gjatë mëngjesit, ajo doli para makinës së shqiptarit duke i kërkuar ndihmë. Valton Loka u ofrua ta ndihmonte dhe doli nga makina, por në këtë moment 26-vjeçarja e goditi me thikë duke e lënë të vdekur në vend.
Krimi ndodhi përpara syve të bashkëshortes së 35-vjeçarit, e cila pësoi tronditje të fortë. Policia arrestoi menjëherë autoren e krimit dhe i gjeti dy thika, njëra me gjakun e viktimës. Dyshohet se ajo mund të ketë qenë e droguar në momentin e krimit.
(E.K/FAXWEB)