Ditë pas dite shtohet edhe më shumë misteri i zhdukjes së avokatit Besnik Muço.
Pas gjetjes së një kufome në brigjet italiane dhe kur pritej identifikimi i saj, mësohet se kufoma e gjetur në det është pa kokë, e gjymtuar dhe pa rroba dhe prokurorët kanë kërkuar kryejen e analizës së ADN-së. Familja e avokatit, shkruajnë mediat italiane, është e tronditur shumë nga ky lajm i fundit.
Mediat italiane sot shkruajnë se po kryhen hetime në Puglia për zhdukjen misterioze të avokatit Besnik Muço, pasi në det, pranë Castro-s, në provincën e Lecce, u gjet një trup i pajetë. Kufoma ishte zbuluar në 5 nëntor nga një kalimtar, në vijën bregdetare të qytetit në pjesën jugore të gadishullit puljez, por kushtet e këqia të motit i ndaluan operacionet për tërheqjen e saj nga deti ose nga qielli.
Kështu që kufoma u kap vetëm ditën tjetër, pasi dallgët e kishin përplasur pas shkëmbinjve. Kufoma është shumë e gjymtuar dhe duket se nuk ka kokë. Po ashtu nuk ka as rroba.
Duke qënë e pamundur për autoritetet në Lecce që t’i japin një emër, ato e kanë vendosur kufomën në frigoriferin e morgut të qytetit pa asnjë ide për identitetin e saj, përcjell Syri.net.
Por, të premten, lajmi i gjetjes mbërriti në zyrën e prokurorit në Macerata, ku një dosje për zhdukjen e Muços ishte hapur pas kallëzimit nga gruaja e tij në karabinieri.
Kryeprokurori Gioavanni Giorgio dhe Zv.prokurorja Margherita Brunelli iu raportuan kolegëve në Lecce, Maria Vallefuoco dhe Leonardo De Castrit, zhdukjen e avokatit, duke kërkuar që të shqyrtohet ADN-ja.
Por derisa të dalë rezultati duhet pak kohë. Në gjyqësorin e Lecce-s nuk rezultojnë persona të tjerë të zhdukur, por asgjë nuk mund të thuhet para se të bëhet analiza e materialit gjenetik.
Lajmi ishte tronditës për familjen e avokatit. Gruaja e tij Raimando u kthye ditën tjetër në Itali nga Shqipëri, ku kishte shkuar për të kërkuar burrin e saj.
Muço, 54 vjeç, ishte nisur nga Durrësi më 2 nëntor për t’u nisur drejt Barit. Por, pak pas nisjes, në orën 23:00, celulari i tij nuk përgjigjej. Gruaja e tij iu drejtua karabinierëve, kurse vëllai i avokatit bëri denoncimin në Shqipëri. Tani prokurori ën Tiranë po heton për rrëmbim personi, pasi në bord u gjetën dokumentet e tij, si italiane, edhe shqiptare.
Në banesën e avokatit nuk u gjet asgjë e pazakontë, por e habitshme për të afërmit ishte nisja e tij: E shoqja nuk dinte asgjë dhe pse Muço ishte nisur me traget kur ai zakonisht merrte avionin.
Zhdukja e 54-vjeçarit është shqetësuese sepse ai ka qënë njeri me influencë në vendin e tij. Ai kishte qënë prokuror në Vlorë dhe kishte hetuar një ish-ministër. Në mars të vitit 1997, me rënien e qeverisë, anarkinë dhe daljen masive të njerëzve nga burgjet, ai e konsideroi më të sigurtë që të ikte me gruan e tij dhe djalin në Itali ku u prit si refugjat politik. Prej tre vjetësh ai kishte vendosur të rifillonte profesionin në Tiranë.
(E.K/Faxweb)
http://www.ilrestodelcarlino.it/macerata/cronaca/avvocato-scomparso-1.3544737