Skënderbeu do të luajë mbrëmjen e sotme ndaj Dinamos së Kievit, në ndeshjen e parafundit të fazës së grupeve të Europa League.
Skuadra korçare do të kërkojë të fitojë këtë sfidë, për të rritur shpresat për një kualifikim të mundshëm. Për këtë arsye, trajneri Ilir Daja ka vendosur të aplikojë një lojë sulmuese në këtë takim.
Në portë do të jetë si gjithnjë Orges Shehi, ndërkohë që në mbrojtje pritet të jenë Vangjeli, Radas, Aliti – me këtë të fundit që do të marrë vendin e Jashanicës, – dhe Mici.
Në mesfushë, Osmani do të jetë përpara repartit të prapavijës, e bashkë me të në fushë do të jenë Lilaj dhe Gjergji Muzaka. Reparti i sulmit do të përbëhet nga të zakonshmit James, Sowe dhe Gavazaj.
Ndërkohë, Policia e Elbasanit ka publikuar edhe masat e marra për këtë ndeshje të rëndësishme të Skënderbeut. Të angazhuara do të jenë 108 forca sigurie nga Policia e Elbasanit dhe komisariatet vartëse të saj, si dhe FNSH, ndërsa do të ketë edhe bllokime të rrugëve.