Reagon njëri nga mjekët që ka paraqitur në grup me kolegët e tij dorëheqjen sot. Petrit Vargu i QSUT-së thotë se është i vetëdijshëm që protesta e nisur spontanisht do të shuhet.
”E di që protesta spontane e kolegëve, miqve, vëllezërve të mi do të shuhet. E di që pushteti do të bëjë normalizim të përkohshëm të situatës me forcë dhe padije. E di që aleatët tanë të vetëm janë mediat. Di gjithashtu që ata që do të vuajnë janë pacientët”, shkruan ai.
7 mjekë të Urgjencës kanë dhënë kolektivisht dorëheqjen nga detyra. Sipas tyre ata kishin paralajmëruar aktin që do të ndërmerrin rreth një muaj më parë.
Ata i kanë dërguar një letër Presidentit Meta, kryeministrit Rama si dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu.
Sipas tyre kushtet me të cilat ata punojnë janë të vështira dhe se nuk ka shtretër për pacientët. Mes atyre që kanë firmosur letrën janë: Etionema Braçaj, Petrit Gjorgji, Petrit Vargu, Elton Çalliku, Besnik Koçia dhe Eqrem Hasani.
“Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe Shërbimet e tjera nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”- thuhet ndër të tjera në letër mjekët e Urgjencës së QSUT
Pas ngjarjes deputeti i PD-së Bardh Spahia u nis drejt QSUT-së për të takuar mjekët e dorëhequr.
(V.G/Faxweb)