Një person ka mbetur i plagosur me thikë si pasojë e një konflikti mes dy vëllezërve. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në Elbasan.
Mësohet se Fatmir Bakalli 56 vjeç, banues në Elbasan i është futur në shtëpi të vëllait, Shpendi Bakalli, 49 vjeç, banues në Elabasan gjithashtu, duke i thyer derën. Më pas 56 vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së Shpendit dhe e ka plagosur atë vetë me thikë.
INFORMACIONI ZYRTAR I POLICISË
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Fatmir Bakalli, 56 vjeç dhe Shpendi Bakalli, 49 vjeç banues në Elbasan.
Arrestimi i shtetasit Fatmir Bakalli u bë pasi në banesën e tij, në Lagjen “5 Maji” për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur me thikë vëllain e tij, shtetasin Shpendi Bakalli i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën me të cilën shtetasi Fatmir Bakalli dyshohet të ketë goditur vëllain e tij shtetasin Shpendi Bakalli.
Ndaj shtetasit Fatmir Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 130/a dhe 279 të Kodit Penal.
Arrestimi i shtetasit Shpendi Bakalli, u bë pasi dyshohet të ketë dëmtuar derën e oborrit të vëllait të tij shtetasit Fatmir Bakalli dhe dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së të vëllait shtetases M.B., 53 vjeçe duke i shkaktuar dëmtime fizike, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj shtetasit Shpendi Bakalli, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrim prone” parashikuar nga nenet 130/a dhe 150 të Kodit Penal.
(F.M/Faxweb)