Një 20 vjeçar, Klevis Sula me orgjinë nga Skrapari ka humbur jetën dje, pas 4 ditë qendrim në koma në Islandë.
Mësohet se Sula është qëlluar 2 herë me thikë në zemër nga një islandez, që dyshohet se vuante nga probleme mendore.
Ai së bashku me një mikun e tij shqiptar kishin qenë në një lokal pranë zonës ku banonin dhe në dalje kanë hasur vrasësin në një gjendje jo të mirë shëndetësore, thonë burimet për ”Faxweb”.
Dy të rinjtë shqiptarë i kanë ofruar ndihmë, madje edhe një cigare, dhe në nisje për t’u larguar, personi që dyshohet se kishte dhe probleme mendore i ka qëlluar ata me thikë. Goditja për 20-vjeçarin ka qenë fatale, duke i prekur atij zemrën.
Pavarësisht ardhjes në kohë të ambulancës dhe Policisë, i riu shqiptar nuk mundi të mbijetonte pas disa ditëve në koma. Dje pasdite mjekët u dorëzuan duke fikur aparaturat që mbanin në jetë të riun. Po ashtu familjarët kanë mbërritur në Islandë, po pa mundur të kenë një komunikim me djalin e tyre.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar të gjithë ngjarjen thonë burimet e ”Faxweb”, e megjithatë të riut i është bërë edhe autopsia.
20 vjeçari punonte si guzhinier prej 3 vitesh në shtetin Islandez, ndërsa ndarja e tij nga jeta ka prekur thellë zemrat e miqve dhe familjarëve të tij, ku nuk kanë munguar as reagimet në rrjetet sociale.
Familja e të riut jeton në Skrapar, ndërsa vetë Klevisi kishte zgjedhur të emigronte në kërkim të një jete më të mirë.
Njoftimin për vdekjen e të riut e kanë bërë të ditur edhe autoritetet islandeze, në faqen zyrtare të Policisë vendase.
Policia tha se kapi autorin, i cili nuk dëshmoi dot në daljen e parë përpara gjykatës për arsyet e agresionit për shkak të gjendjes së rënduar psikike, ndërsa do të dalë sërish përpara gjykatës së Rejkjavik në 15 dhjetor 2017.
(E.K/FAXWEB)