Kush do ta mendonte që Çiljeta, me këngën e saj Hajmali do të ngelte jashtë finales në ‘’Kënga Magjike”?! Po ja që edhe ndodh në sajë të votimit të kolegëve të saj.
E kontaktuar nga revista Class, Çiljeta, megjithëse ka dashur të përcjellë në heshtje këtë moment për të qenë sa më larg diskutimeve dhe komenteve, tha vetëm që: “Jam vërtet e habitur dhe shumë e zhgënjyer nga votimi absurd i disa prej kolegëve të mi. Nuk kërkoja të më kualifikonin për miqësi, por për tërësinë e elementëve të një performance që ishte absolutisht në standardin e një nate finale”.
E sinqertë deri në fund, ashtu siç ka qenë përherë me publikun që e ndjek, Çili pranon të kënduarit live është sfidë. Por ajo që kënga dhe interpretimi transmetonin ishte mjaft e qartë. Kjo mungesë, për të nuk është aspak shqetësuese, sepse, në fund të fundit, ajo bëri më të mirën e saj, si në çdo kompeticion muzikor. Në të vërtetë, turpi këtu u mbetet disa kolegëve që nuk votuan një këngë si “Hajmali”, tërësisht të denjë për në finale.
Sa për votat e veta, Çili thekson se për këtë pjesë është përpjekur të votojë ata kolegë që për të përfaqësonin vlera të larta artistike, pa lënë mënjanë edhe vlerësimin për artistët e rinj. Ajo nuk ka pranuar asnjëherë të bëhet pjesë e lobingjeve “më jep, të të jap”, përkundrazi ka zgjedhur të qëndrojë sa më larg tyre duke zgjedhur më të mirët sipas gjykimit të saj profesional: “Përpara dinjitetit tim nuk vë asgjë”, – thotë ajo duke dashur ta mbyllë këtë pjesë.
Dhe siç gjen dhe sheh gjithmonë anët pozitive, Çili këtë bën edhe këtë herë duke menduar se mënyrë më e mirë, ndoshta është sjellja e klipeve: “Megjithatë karriera vazhdon. Është zgjedhje shumë e mirë ideja e klipeve. Aty je i pakushtëzuar nga kupat dhe fitoret, kanë rëndësi klikimet. Sa herë dëgjohesh, është e barabartë me sa herë pëlqehesh”, – vijon Çiljeta.
(E.K/FAXWEB)