Në gjeologji nuk ka thënie: “këtu ndërtohet e këtu jo”. Kudo mund të ndërtohet, por mënyra si ndërtohet dhe kostoja ndryshon. Ajo për të cilën cdokush duhet ta mendojë dy herë para se të hedh gjithë investimin e jetës është studimi gjeologjik në momentin që bëhet një ndërtim.
Është e nevojshme që ndërtesa t’i ngulë mirë “këmbët” në tokë dhe vendi për të, të jetë i përshtatshëm. Në ditët e sotme njerëzit ndërtojnë dhe kur ndodh tragjedia kujtohen se në atë zonë duhet të ishte bërë një studim para se ngrehina e tyre të zinte vend. I tillë është rasti i Zef Balës, që në fillim të demokracisë la Pukën për tu vendosur së bashku me familjen në lagjen 15 të Durrësit, ose sic njihet masivisht, Spitallë.
Rrëshqitjet e masiveve të dheut, kryesisht pas cdo sezoni shirashe ka degraduar shtëpinë e tij 3 katëshe të cilës i kanë dalë themelet dhe është gati për tu shembur nga momenti në moment. Në banesën 3 katëshe të familjes Bala shihet qartë që varfëria dhe skamja është ulur këmbëkryq, pak nga halli i madh që i ka shkuar dëm gjithë mundi i jetës, e pak nga mungesa dorës së shtetit për ti dhënë një zgjidhje problemit të tij. Reshjet e fundit e kanë zbritur kodrën më afër detit, me të njëjtin ritëm edhe banesa e Zef Balës ka marrë rrugën për tu shembur nga momenti në moment.
Zefi tregon për ‘’Fax news”se bleu hallin me lek, për të ndërtuar një shtëpi që shumë shpejt mund të shembet mbi të dhe familjarët e tij. Shteti për Zefin është kujtuar për ti bërë legalizimin një shtëpie që cdo ditë zgjohet me avancim të carjes së mureve, ndërsa gjysma e banesës është shembur duke e lënë gjysmën tjetër me themele të hapur.
Zefi tregon se ka trokitur në cdo derë për të kërkuar ndihmë ose strehim në vend tjetër,por askush nuk ka shkuar as për ta parë nga afër gjendjen në të cilën është katandisur banesa e tij, brenda të cilës jetojnë 3 anëtarë të familjes Bala. Ligji përcakton që për marrjen e lejeve të ndërtimit, pjesë e dokumentacionit duhet të jetë dhe studimi gjeologo–inxhinierik, por ka raste kur ky studim është thjesht formal.
Kjo zonë në Spitallë është e njohur për rrëshqitje të kodrës për shkak edhe të përbërjes argjilore të kodrës në fjalë. Në të janë të ndërtuara me 10tëra shtëpi banimi, të cilat janë pajisur dhe me leje legalizimi, pa u interesuar askush për ti verfikuar nga afër gjendjen fizike të godinave./ Elitjona Doko-Fax News