Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat për të folur në lidhje me atë çka ndodhi dje në Kuvend dhe në protestën e opozitës. Basha u shpreh se nga Janari do të nisë vala e re e protestave të opozitës.
“Qëllimi i vërtetë është që Edi Rama të jetë në krye të Prolkurorisë. Dje u krye një puç kushtetues. Falenderoj qytetarët që iu bashkuan protestës pasi ata e dinë që politika nuk është pronare e Kushtetutës.
Protesta e djeshme dhe protestat që do të vazhdojnë janë shprehje e revoltës së qytetarëve ndaj Edi Ramës. Ai është i vendosur në rrugën e tij anti-reformë. Ajo që është e rëndë nuk janë tymueset po shkelja e Kushtetutës nga Edi Rama. Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde. Në çdo vend të botës nëse do të zbulohej se Ministri i Brendshëm është koka e trafikut, qeveria do të ishte rrëzuar.
Në çdo vend perëndimor Saimir Tahiri do ntë ishte sot në burg dhe Edi Rama do të ishte nën hetim. Prokurori do të duhej që të ishte zgjedhur ashtu siç është e shkruar në Kushtetutë. Kushtetuta ndalon që kryeprokuror të jetë dikush që nuk ka kaluar Vetingun dhe po ashtu sanksionon që të mos zgjidhet me 3/5. Të gjitha këto fakte të çojnë në një përfundim: që Edi Rama është vetë kryeprokuror.
Po dalin fakte të reja sesi Edi Rama ka vënë shtetin në shërbim të Balilajve, të cilët kanë fituar tendera nga Edi Rama. Kjo është situate kjo është gjendja. Vendimi i opozitës për të nisur nga fillimi i Janarit një valë të re protestash”, u shpreh Basha.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me çuarjen apo jo në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhjes së Kryeprokurores Basha u shpreh se kjo do të ishte një iluzion.
‘’Dua të sqaroj të gjithë qytetarët që Gjykata Kushtetuese nuk është zjarrfikëse, ajo thjesht i interpreton faktet. Nuk mund të zgjidhet një krizë e tillë politike e kapjes së shtetit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila nga ana e saj është nën presionin e politikës”, u shpreh më tej kryedemokrati.
(E.K/FAXWEB)