Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me anë të zëdhënësit të tij Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me votën e Shqipërisë që është dhënë kundër SHBA-së dhe pro një rezolute të iniciuar nga Turqia dhe shtetet arabe.
Sipas Presindencës kryeministri Edi Rama dhe as ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk janë konsultuar paraprakisht me Presidentin e Shqipërisë për votën që do të jepej në Nju Jork.
“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar.
Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar.
Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri me i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla që duhet të jenë të mirë koordinuara.
Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës.”, thuhet nga Presidenca.(J.V/Faxweb)