Prej orës 12 të ditës së sotme në KQZ kanë nisur diskutimet në lidhje me mandatet e dy deputetëve. Me kërkesë së Prokurorisë kërkohet heqja e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën.
Për deputetin e LSI-së, vendimi është shtyrë pasi kërkohen materiale shtesë nga ana e Prokurorisë.
“Kam qenë student për shkenca politike në Itali në atë kohë. Nuk e kujtoj me detaje këtë histori se po bën gati 20 vjet, por s’kam asgjë për të fshehur. S’kam pasur në asnjë moment urdhër ndalimi, arrestim apo gjykim në Itali. S’kam ndërmend të fsheh asgjë”,- u shpreh deputeti i LSI në KQZ.
Të njëjtin vendim Prokuroria ka marrë dhe për deputetin tjetër Aqif Rakipi. Vetë Rakipi nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa zgjodhi që të përfaqësohej nga avokatët e tij.
Ajo që të bie në sy në këtë votim është fakti se PS-ja dhe LSI-ja u bënë bashkë në mbështetje të më shumë materialeve nga ana e Prokurorisë. Votat ishin 4 me 2 në favor të shtyrjes së vendimit dhe kërkesës për materiale shtesë.
Rakipi, deputet i PDIU-së në Elbasan është i njohur për afërsinë e tij me kryeministrin Rama, saqë në rrethe të ngushta të politikës thërritet edhe si ‘’Qifja”.
KERKESA E PROKURORISE:
Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar në ditët e fundit të 2017 ndërprerjen e mandatit për deputetin e PDIU-së dhe atë të LSI-së, të cilët sipas organit të akuzës rezultojnë se janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Sipas vendimit të prokurorisë, të dy deputetëve ju janë marrë shenjat e gishtave në shkurt dhe i janë dhënë Interpolit. Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.
Për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Interpol Roma thotë se është proceduar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.
Të dy deputetët nuk deklaruan ndalimet në formular dhe as përdorimin e emrave të tjerë, çka sipas ligjit të dekriminalizimit përbën arsye për ndërprerje të menjëhershme mandati.
(E.K/FAXWEB)