Pas statusit të kreut të PD-së Lulzim Basha për trajtimin me fisha të fëmijëve me diabet ka ardhur dhe reagimi zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë. Në një njoftim për mediat ministria njofton se nga janari i vitit 2018, fishat për fëmijët e sëmurë do rimbursohen.
“Rreth 1500 fëmijë do marrin fishat falas. Qeveria merr përsipër rimbursimin me një fond prej 43.8 mln lekë.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më herët kreu i PD-së, Lulzim Basha, denoncoi rastin e një vajze që vuan nga diabeti dhe njësoj si 1500 fëmijë të tjerë i blen fishat vetë. Basha tha se kjo vjen për shkak të klientelizmit në shëndetësi.
“Damiana dhe 1500 fëmijët e sëmurë me diabet do të vazhdojnë të blejnë 100 mijë lekë çdo muaj fishat e diabetit, sepse klanet e tregut miliarder farmaceutik, klientë të Edi Ramës, nuk kanë rënë akoma dakord si do të ndajnë fitimet nga Lista.
Fëmijët me diabet nuk janë të vetmit që janë mashtruar nga Edi Rama. Ai bëri fushatë elektorale me premtimin se mijëra shqiptarë do të përfitonin nga zgjerimi i Listës me 30 ilaçe të reja me fokus tek sëmundjet me përhapje të gjerë si ato të zemrës dhe të veshkave.
Është e qartë se edhe këta mijëra shqiptarë janë peng i pazareve të pambyllura të klientëve të Edi Ramës me Listën e Barnave të Rimbursueshme” tha Basha paraditen e sotme në një postim në Facebook.
(F.G/Faxweb)