Përzgjedhja e logos për 10 vjetorin e pavarësis së Kosovës, është bërë nga Këshilli Organizativ për Shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë, e cila po cilësohet si ma kreativja gjatë gjithë këtyre viteve.
Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Adil Behramaj, ka thënë se forma e logos simbolizon ditëlindjen e 10 të shtetit, duke shtuar se simbolizon edhe kontributin në paqen rajonale.
“Forma e saj i përngjan fishekzjarreve, për shkak se kemi të bëjmë më vitin jubilar. Aty e kemi edhe formën zyrtare të hartës së Kosovës. Do të ketë dhjetë ditë festë, duke filluar nga data 8 deri me 18 shkurt”, ka theksuar Behramaj.
Hartuesit e logos sipas tij, janë Arbër Racaj dhe Egzon Cakaj dhe i tërë organizimi është nën patronatin e Presidentit të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Kujtojmë që Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi shprehu kritika në lidhje me këtë logo.
Ai tha se tek kjo logo nuk shikon të pasqyruar ndonjë sakrificë që e solli Kosovën deri tek ky jubile, madje sipas tij janë dy duar që kundështojnë njëra-tjetrën.
(B.H/Faxweb)