Ditën e sotme Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 13:00 për të marrë një vendim për ndërprerjen ose jo të mandatit të deputetëve Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi.
Kujtojmë që dy ditë më parë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i kërkoi Prokurorisë që t’i vendosë në dispozicion gjithë praktikën e ndjekur për dy deputetët, duke e cilësuar kërkesën si të paplotë në informacion. KQZ-ja i kërkoi infomacion shtesë Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me akzuat për dy deputetët.
DETAJE:
Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.
Për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, Interpol Roma thotë se është proceduar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është proceduar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.
Të dy deputetët nuk deklaruan ndalimet në formular dhe as përdorimin e emrave të tjerë, çka sipas ligjit të dekriminalizimit përbën arsye për ndërprerje të menjëhershme mandati.
KQZ do të mblidhet për të marrë në shqyrtim 5 vendime të prokurorisë, dy që kërkojnë heqje mandati për Rehovicën dhe Rakipin, dhe tre të tjera që arrijnë në konkluzionin se zyrtarët nuk preken nga dekriminalizimi. Përkatësisht, ish deputetët Omer Mamo e Mhill Fufi si dhe kryebashkiaku i Pogradecit, Eduard Kapri. (J.V/Faxweb)