Letra
“Të shoh teksa fle. Jam pranë teje. Mban veshur një tunikë të gjatë, të zezë me të kuqe, me qëndisje në krahëror. Duhet të jenë lule besoj, por nuk i shoh. Po të jap lamtumirën, lamtumirën më të gjatë nga gjithë lamtumirat, Kukulla ime. Kështu të thërrisja, “Kukulla ime e vogël”. Nuk i hedh sytë nga lulet, por mbi fytyrën tënde dhe mendoj sa e bukur je, mbase nuk ke qenë kurrë kaq e bukur sa sot. Për herë të parë në jetën time (dhe në jetën tënde) të shoh të qetë, në paqe. Sa e qetë je, sa e bukur je. Duket sikur një dorë ka fshirë ëmbëlsisht të gjitha ankthet nga fytyra jote. Të shoh teksa fle, thonë se ke vdekur. Mendoj për ty, për mua, për ne. Cili është faji im? Të gjithë e bëjnë një pyetje të ngjashme kur ndodhen para gruas që kanë dashur dhe dashurojnë akoma.”
Nis kështu një nga letrat më të bukura të dashurisë që janë shkruar ndonjëherë. Ironik është fakti se për marrësen e kësaj letre, ishte hera e parë dhe e fundit. Ajo kurrë nuk e lexoi.
Dërguesi ishte Alain Delon, i cili joshte dhe kaq. Femrat binin në këmbët e tij si miza, ndërsa ai, me një fytyrë ëngjëllore: sy të akullt dhe buzëqeshje magjepsëse, sapo mërzitej me to, i braktiste maksimumi me një pusullë.
Është 29 maji i vitit 1982, kur Romy Schneider, e njohur nga publiku për rolin e Princeshës Sissy, sapo është shuar në Paris, për shkak të një arresti kardiak.
Fillimisht u mendua se aktorja kish vrarë veten, pasi e konsideronte jetën të padurueshme dhe të kotë. Një vit më parë kishte humbur djalin e vetëm, David, i cili kish mbetur i vrarë teksa kalonte kangjellat e shtëpisë së gjyshërve. Në atë kohë ai ishte vetëm 14 vjeç. Nga kjo tragjedi, Romy nuk e mori kurrë veten. Çdo mbrëmje qëndronte në sallon duke dëgjuar muzikë. Ishte mënyra e saj për të qëndruar vetëm me kujtimin e djalit të saj të ndjerë.
Ditën kur u gjend e vdekur, Alain Delon shkon menjëherë në banesën e saj. Kërkon të qëndrojë vetëm. Qan si fëmijë, i shkrep 2-3 foto (që siç deklaron vetë aktori, do t’i mbajë gjithmonë me vete në portofol) dhe më pas largohet. Nuk shkon në funeral, por një ditë më vonë, do qëndrojë për orë e orë të tëra i ulur në varrin e saj. Një lamtumirë e dhimbshme.
U njohën në set, në vitin 1958, por nuk qe dashuri me shikim të parë.
“Teksa ti vije nga Viena, unë të prisja në aereoportin e Parisit me një buqetë lulesh, buqetë që as nuk dija ta mbaja si duhet në duar. Producentët më kishin thënë “Sapo të zbresë nga avioni, shko afrohu dhe dhuroji lulet”. Prisja me to në duar si idiot, mes një ushtrie me fotografë. Ti zbrite, unë t’u afrova. I the nënës tënde “Duhet të jetë Alain Delon, partneri im në filmin e ri”. Kaq. Asgjë tjetër. Asnjë rrufe në qiell të hapur. Pastaj shkova në Vienë, atje ku do xhirohej filmi. Pikërisht atje u dashurova çmendurisht me ty. Ti u dashurove me mua. O Zot i madh, sa të rinj ishim, sa të lumtur ishim. Më pas jeta, ajo që nuk i takon askujt tjetër veç teje dhe meje, ajo na ndau!”
Romy është e famshme dhe e pasur, Alain një yll premtues i kinemasë. Në vitin 1959 shkojnë të jetojnë në Paris, në një shtëpi të madhe, ku qeranë e paguan ajo. Marrin pjesë nëpër festa mondane, fotografët i ndjekin nga kudo. Bëhen miq të ngushtë me Luchino Visconti, babain artistik të Alain Delon.
Në 1960 Alain vendos të zyrtarizojë marrëdhënien e tyre duke i dhuruar Romy-t të tij të dashur një unazë. Martesa nuk bëhet kurrë. Ai bën gabimin më të madh të jetës së tij: në kulmin e karrierës, magjepset nga Francine Barthelemy (për miqtë Nathalie), një 22 vjeçare misterioze dhe rebele. Kështu papritur, nga njëra ditë në tjetrën, ai braktis Romy-n e tij, merr avionin dhe ikën larg. I lë një pusullë, në një buqetë trëndafilash “Më vjen keq. E di që do të të bëja të palumtur. Po iki në Meksikë me Nathalie. Të uroj gjithë të mirat.”
Rrugët e tyre ndahen, por jo me të vërtetë. Do të luajnë së bashku në filmin “Pishina” (1968), të Jacques Deray.
Pas vdekjes së djalit të saj të vetëm, Alain do t’i qëndrojë pranë më shumë se askush tjetër. Të destinuar për të mos përfunduar bashkë, por të lidhur nga një ndjenjë e veçantë, e papërsëritshme, e pafundme.
Shumë të bukur, të bukur e të mallkuar, bënë të ëndërronin breza të tërë. Mjaf të kujtosh fotot e dashurisë së tyre, që janë ndër më të shkarkuarat në instagram.
“Kukulla ime, të vështroj përsëri e përsëri. Dua të të mbys me vështrime. Pusho tani. Unë jam këtu, pranë teje. Kam mësuar pak gjermanisht falë teje. Ich liebe dich. Të dua. Të dua Kukulla ime.”
Sot, Alain Delon është 82 vjeç dhe jeton i veçuar, jashtë vëmendjes së publikut i rrethuar nga ngrohtësia e qenve të tij të dashur. I vetëm, me një divorc mbi shpatulla dhe një numër të pafund lidhjesh të përfunduara keq, aktori më i dëshiruar i botës, ka hesape të pambyllura me depresionin dhe vitet që duke kaluar, vetëm i marrin dhe nuk i japin më asgjë.
dashur Alain,
Ajo, Romy, Kukulla jote, është gjithmonë aty me ty. Dashuritë si kjo, ato që të lenë në gojë shijen e hidhur të fjalisë “Çfarë do të ndodhte nëse…”, janë të destinuara të zgjasin për gjithë jetën. Këto janë ato lloj dashurish që nuk na lenë kurrë.
(F.M/Faxweb)