Ditën e djeshme Agron Gjana, ish-kryeprokuror në Durrës u shpreh në media se nuk do të jepte dorëheqjen pavarësisht kërkesës së bërë nga ana e kryeprokurores Arta Marku.
E megjithatë pas emërimit të zëvendëses së tij, Gjana është tërhequr, duke miratuar në këtë mënyrë në heshtje kalimin e tij në krye të Prokurorisë së Kukësit.
Gjana ka shkuar mëngjesin e sotëm në Prokurori dhe ka dorëzuar çelësat e zyrës pasardhëses së tij. Gjana është një nga prokurorët e përfolur se i është refuzuar viza amerikane.
Po ashtu e emëruara Donika Prela ka shkuar në zyrë, ndërsa është prezantuar dhe me stafin e saj.
Ndaj Kryeprokurores Arta Marku janë ngritur dy padi, nga bashkëshortët prokurorë, Dritan Gina dhe Rovena Gashi.
Dritan Gina prej një viti e gjysmë qëndronte në krye të prokurorisë në Elbasan, ndërsa Rovena Gashi qëndronte në krye të sektorit të dekriminalizimit.
(E.K/FAXWEB)