Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim të botuar tek “Panorama” ka komentuar situatën politike që po kalon vendi dhe lëvizjet e fundit në organin e akuzës.
Lubonja e nis argumentimin e tij me votën e Shqipërisë në OKB, dhe i quan akuzat e opozitës si ‘argumente absurde’.
Lubonja thotë se Reforma po ecën me sukses, bazuar në pritshmëritë e atyre që e hartuan dhe investuan tek kjo Reformë.
Nuk duhet mohuar kontributi i ndërkombëtarëve, thotë Lubonja dhe rendit disa nga faktet e fundit që tregojnë se ky proces nga fillimi deri në përfundim është një flluskë që iu shërben shqiptarëve si mashtrimi më efikas që mund t’ju shërbejë shumë personave.
“Po ja, kjo që po bën Kryeprokurorja e përkohshme, kujtoni ju se nuk është reformë?
Kjo është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu?
Prisni se edhe atij do t’ia ndieni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte Orëelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut, përveç atyre që janë vetë vetingu.
Po atëherë, ç’është kjo reformë, që askush s’e do dhe të gjithë e brohorasin? Po ambasadorët ç’dreqin kanë që ngatërrohen me këto mashtrime?”-shkruan Lubonja.
Më tej, analisti shpalos teorinë e tij, se në një vend si Shqipëria ku ikja është kthyer në masive dhe ku njerëzit nuk kanë shpresë por vetëm dëshpërim, duhet një “përrallë” e mirë për të shitur.
“Jetojmë në një vend ku, siç ka thënë dje edhe vetë Rama, jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur. Më 2017, në Francë u bënë të parët, duke ua kaluar edhe afganëve. Ka më tmerr se kjo?
E, pra, në këtë lloj vendi o duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e radhës me njerëzit e pandershëm.
E meqenëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “Reforma në Drejtësi” është mashtrimi i radhës për të gjetur një fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës.”-thotë Lubonja.
Lubonja e kufizon Reformën në Drejtësi si një marrëdhënie tripolare mes BE-së, SHBA-ve dhe Ramës, duke iu shërbyer tre palëve për qëllime të caktuara. Ramës i duhet sepse kap kundërshtarët dhe mbron të tijët.
Burokratëve të BE-së iu duhet të justifikohet rroga, shkruan analisti. Në këtë rast çdo shqiptar pyet për rolin e SHBA-ve dhe ambasadorit Lu.
Lubonja e lidh interesin specifik të Lu-së në këtë çështje me hijet e skandalit të presionit të Bankers Petroleum.
“Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë ashtu siç, nëpërmjet reformash të tjera, pastroi institucionet nga kundërshtarët e tij, me rezultat zero. I shërben edhe si një alibi për të thënë se gjërat nuk kanë shkuar mirë deri tani, sepse na kanë penguar disa njerëz të liq në drejtësi, që kanë qenë të lidhur nga kundërshtarët e mi të liq.
Për të punon një armatë e tërë burokratësh, e paguar nga taksapaguesit europianë me rroga të majme. Dhe ndër nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Europë i Ballkanit Perëndimor.
E, pra, edhe këtyre perëndimorëve u duhen disa prova se rrogat e tyre nuk paguhen kot. Ja, në sajë të ndihmës së tyre kompetente, vende si Shqipëria po bëjnë hapa përpara drejt integrimit.
Po Lu-ja, ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja përfaqëson SHBA, që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA – në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për shkak të “Bankers Petrolium” – siç thonë gojët e liga.”
Dhe në funksion të duartrokitjeve nga të treja palët është vënë kryeprokurorja e re e Përkohshme, Arta Marku, të cilën Lubonja nuk heziton ta quajë “kamikaze” që hidhet në det për hir të interesave Rama-Lu.
Për të larë duart me mashtrimin thotë Lubonja, duhet një peshk i madh.
“Duhet, pra, që rrjeta e reformës “ramalu”, vrimat e së cilës po i mbyll me shpejtësi kamikazja Arta Marku, të hidhet në det sa më parë dhe të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj, që t’i fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë.
Do të thoni ju, po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e Policisë trafikantë droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani s’na ka mbetur, veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”!”-mbyll Lubonja shkrimin e tij.
(F.G/Faxweb)