Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas votimit në parlamentin e Maqedonisë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Bushati thotë se kjo është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe një gur themeli për një të ardhme më të mirë.
POSTIMI I BUSHATIT:
GJUHA SHQIPE NË MAQEDONI!
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.
Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur.
(B.H/FaxWeb)