Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulasi Manja, i ftuar në ‘Fax News’ ka thënë se për ndryshimet e rregullores së Kuvendit ishte rënë dakord me opozitën dhe ndryshimet kushtetuese duhet të reflektohen edhe në rregullore.
Manja tha se kërkesa për arrestimin e një deputeti me ndryshimet kushtetuese i drejtohet Këshillit të Mandateve dhe ky ndryshim duhet reflektuar edhe në rregullore. Ai tha se sipas ndryshimeve të reja edhe votimi bëhet i hapur ndërsa në rregullore ka ngelur se duhet të bëhet i fshehtë.
“Ndryshimet në rregullore reflektojnë ndryshimet kushtetuese, ishte një alertim i kotë i opozitës, mua më la shije se kërkon që të gjejë kauza të paqena para protestës. Çfarë ka për tu reflektuar në rregullore?
Ju e patë që në mbledhjen e fundit kërkesa për heqjen e lirisë së një deputeti e bën Prokurori i Përgjithshëm, por me ndryshimet kushtetuese kërkesën për arretsim Prokurori ia drejton Këshillit të Mandateve, duhet reflektuar ky ndryshim, ose, kushtetuta e re parashikon se votimin kur kerkohet arrestimi i deputetit bëhet me votim të hapur, ndërsa në rregullore kishte ngelur votimi i fshehtë.
Keqardhje ndiej për ata që janë jurist. Edhe ne edhe opozita e kemi detyrim kushtetues që ti reflektojmë ndryshimet kushtetuese edhe tek rregullorja”, tha Manja, ndërsa u shpreh se pret edhe konsensusin e opozitës për ndryshimin e rregullores. (B.H/Faxweb)